\Tifozët e Eintracht Frankfurt dhe Rangers janë përleshur me njëri-tjetrin në rrugët e Seviljes, në prag të finales së Europa League mes ekipeve të tyre.
Në dy bulevardet që të çojnë drejt stadiumit “Sanchez Pizjuan”, sipas EFE, gjermanët sulmuan skocezët që po qëndronin në baret e zonës, duke pirë birrat e fundit përpara ndeshjes.
U deshën forca të shumta policie për të qetësuar situatën. Nuk ka ende të dhëna për të plagosur apo arrestime.
Vetëm pas një jave, në Tiranë do të luhet finalja e Conference League, ku priten të mbërrijnë shumë tifozë të Romës dhe Feyenoord. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bëri të ditur pas mbledhjes së qeverisë se është marrë vendimi që më 25 maj të jetë pushim për të gjitha institucionet publike në Tiranë. Po ashtu, në këtë ditë nuk do të lejohet edhe qarkullimi i automjeteve në kryeqytet.
Ndërkohë, Urgjenca Kombëtare ka vendosur të përforcojë shërbimin për ditën e finales.