Festivali i artit “Manifesta” ka nisur zyrtarisht në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, një event që synon të rigjallërojë hapësirat publike. Qindra artistë e arkitektë nga mbi 30 vende të botës pritet të marrin pjesë në event, të cilët përdorin pallate e godina të vjetra, kryesisht të braktisura, për t’i shfrytëzuar si kanavaca, siç janë për shembull fabrikat e vjetra në Prishtinë.
Fillimisht, artistët janë vendosur aty, për të parë se si mund ta ndryshojë këtë godinë të vjetër, edhe pse ajo që vetë artistët vuajnë më shumë, është mungesa e ujit, me të cilën lidhjen e kanë shumë të fortë.
“Nuk e ke atë ndjesinë se Prishtina është vendi ku do doje të rrije apo të kaloje kohë. Për shembull, në këtë qytet nuk ka ujë. Dy lumenjtë që ka pasur qyteti, me siguri tani janë thjeshtë dy kanale. Ndaj, mendoj se Prishtina ka shumë potencial dhe ne duhet ta përdorim”, u shpreh një arkitekt gjerman.
“Manifesta” është themeluar në fillim të viteve ’90 dhe çdo dy vjet, ndryshon vendndodhje. Eventi ka nisur më 22 korrik dhe mbyllet më 22 tetor dhe në fund artistët shpresojnë të kenë përfunduar me sukses restaurimin e të paktën 25 godinave ikonike.
Sipas organizatorëve, mbi 6 mijë vetë pritet të vizitojnë Prishtinën në këto 3 muaj, vetëm falë bienales së Manifesta.