Shqipëria do të luajë një tjetër miqësore me përfaqësuese që paraqitet në Evropian. Të martën në mbrëmje (20:15) kuqezinjtë luajnë ndaj Çekisë në Pragë, ndërsa trajneri Edi Reja vlerësoi kundërshtarin dhe kërkoi më shumë saktësi në fazën e sulmit. Reja ka thënë se çekët janë në nivelin e njëjtë me Uellsin.
Ai në konferencën para ndeshjes miqësore ka theksuar se Çekia është kundërshtare e fortë, ndërsa për Shqipërinë test i mirë për të ardhmen. Reja ka qenë i matur para gazetarëve, duke mos parashikuar ndonjë rezultat.
“Jemi në vigjilje dhe duhet të bëjmë vlerësimet e duhura, por fillimisht do të presim deri nesër për të parë formën e të gjithëve dhe nëse janë të aftë të përballojnë një ndeshje tjetër me intensitet. Çekia është në të njëjtin nivel me Uellsin, pasi luan shumë shpejt me topat e gjatë dhe çekët dalin shumë shpejt në sulm, ndaj nëse nuk jemi të vëmendshëm, mund të ndëshkohemi. Presim të shfaqim përmirësime veçanërisht në fazën sulmuese, dhe siç e kam thënë duhet të jemi më të saktë dhe të shpejtë në daljet në kundërsulm. E pranojmë të gjithë që në mbrojtje jemi solidë, por duhet të tregojmë edhe në repartin e sulmit që kemi bërë hapa përpara. Nga ndeshja e nesërme do të shohim përmirësim në fazën e avancuar”, ka theksuar Reja.
Reja ka thënë se Çekia dhe Uellsi mund të jenë surprizë në “Euro 2020”. Ndaj Uellsit dy ditë më parë Shqipëria barazoi pa gola, ndërsa paraqitje të mirë synon edhe kundër Çekisë.
Përkrah përzgjedhësit Reja në konferencë ishte mbrojtësi Berat Gjimshiti. Ai ka bërë thirrje që edhe miqësorja ndaj Çekisë të përballohet me ritmin e njëjtë si ndeshja ndaj Uellsit.
“Mendoj se bëmë një ndeshje të mirë dhe treguam grintë e karakter, ndërsa tani do të kërkojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Republikën Çeke, që ka cilësi ndryshe nga Uellsi, por është gjithashtu shumë e fortë”, ka thënë Gjimshiti.
Gjimshiti ka thënë se është përshtatur mirë në ndeshjen ndaj Uellsit me Marash Kumbullën dhe Ardian Ismajlin, ndërsa pret që edhe faza e sulmit ta kryejë punën e vet në ndeshjen kundër Çekisë.