Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Kosovë, ku një person ka humbur jetën dhe 20 të tjerë kanë mbetur të plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një lokal në Prishtinë.
Ngjarja u regjistrua në rrugën “Rexhep Luci”, pak para mesnate, ndërsa viktimë ka mbetur një 39-vjeçar, i cili ndërroi jetë në spital mëngjesin e kësaj të shtune.
Policia e Kosovës ka bërë me dije se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje në lokal mes disa personave, që degjeneroi deri në përdorimin e armëve. Si pasojë e të shtënave, 4 prej tyre morën plagë nga arma e zjarrit dhe u dërguan në spital. Fatkeqësisht 39-vjeçari nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa ndërroi jetë në spital. Ndërkohë një person tjetër i dyshuar për ngjarjen është shpallur në kërkim.
17 personat e tjerë që mbetën të lënduar, morën plagë nga thyerja e shisheve apo gotave të qelqit.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) bënë me dije se në ngjarje ishte i përfshirë edhe një pjesëtar i tyre.
“Sipas informacioneve zyrtare, në këtë ngjarje ishte i përfshirë edhe një pjesëtar i FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës pas verifikimit të të gjitha informatave nga autoritetet kompetente të sigurisë, do të veproj bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi të FSK-së”, thuhet në njoftim.