2300 Persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e ndotjeve të emetuara në ajrin që thithim.
Të dhënat e grumbulluara nga Raporti “State of Global Air” tregon se humbjet e jetëve njerëzore në Shqipëri kanë të bëjnë me shpërndarjen e grimcave të dëmshme, kryesisht të prodhuara nga djegia e karburanteve dhe sektori i ndërtimit.
Raportet e rendisin Shqipërinë ndër vendet me normat më të larta të ndotjes, përkatësisht 3 herë më e larta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Tirana konsiderohet si qyteti më i ndotur jo vetëm për shkak të dendësisë së ndërtimit por edhe për shkak të numrit të lartë të automjeteve që qarkullojnë duke emetuar kështu grimcat e imëta e njohura si PM2.5 dhe PM10.
Ekspertët thonë se pikërisht këto grimca të rrezikshme që emetohen në ajër janë shkatari kryesor i sëmundjeve si kanceri, astma, demenca por edhe ato të zemrës, diagnoza këto që kanë numrin më të lartë të vdekjeve në Shqipëri të lidhur me ndotjen e ajrit.
Kur ajri kthet në kancer
Mes kullave që ngrihen dhe skelave që rrethojnë kantierët e betonit, po zapton qytetin e gjelbërimi po zhduket çdo ditë e bashkë me të, edhe ajri i pastër.
Organizata Botërore e Shëndetsisë e rendit vendin tonë të katërtin në Kontinent për vdekjen e parakohshme të shkaktuar nga ndotja e ajrit. Statistikat tregojnë se në 600 banorë ka një vdekje, me shkaktar ndotjen e ajrit, duke se ka ngritur shqetësimin e aktivistëve mjedisorë, sipas të cilëve ky fenomen ka prekur gjithë ekosistemin.
“Nëse flasim për ndotjen e ajrit në Tiranë jemi duke folur direkt për shëndetin e njeriut, jemi duke folur direkt për sëmundje të shkaktuara pra nga ndotja e ajrit pa diskutuar këtu që ndotja e ajrit ndikon jo vetëm të njerëzit por edhe tek bimët, ato të paktat që janë në qytet, bukosen nga gjithë ky smog dhe gjithë këto pluhra”. – tha për “shteg.org” eskpertja Besjana Guri.
Sëmundje si kanceri, astma, problemet cerebrovaskulare dhe madje edhe demenca lidhen drejtpërdrejt me ekspozimin afatgjatë ndaj ajrit të ndotur.
Sipas statistikave nga Instituti i Shëndetit Publik, në Shqipëri rezultojnë të regjistruar në sistemin shëndetësor 46,869 persona të diagnostikuar me sëmundje kronike të mushkërive, prej të cilëve 14,814 janë në qarkun e Tiranës.
Vetëm në Bashkinë Tiranë, ndotjes së ajrit i atribuohen 154 vdekje nga një grup prej 4 sëmundjesh. Grupet më të rrezikuara nga ndotja, mbeten fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatëzëna.
“Kur mendojmë që po rrisim fëmijët në një ajër aq të ndotur është vërtet për të ardhur keq, sepse fëmijët janë ajo grupmoshë që janë më të ndikuarit pasi ndotja është më afër tokës, aty ku ato ecin, dhe ndotja ju kalon direkt në rrugët e frymëmarrjes.” – thotë Besjana Guri.
Ndër grimcat më të rrezikshme, evidentohen grimëcat e imëta PM2.5 DHE PM10, ashtu si edhe gazrat e dëmshëm NO2 (Dioksid Azoti), S02 (Dioksid Squfuri) 03, C0 (Monoksid Karboni) dhe BTEX, grimca të cilat maten nëpërmjet monitoruesve të ajrit për të vlerësuar ndotjen e tij.
Ekspertja e mjedisit Greta Shehu shpjegon se grimcat PM2.5 dhe PM10, grimca të imëta pluhuri që gjenden në ajër, janë ndër ndotësit kryesorë të ajrit në zonat urbane. Diametri i tyre nuk i kalon përmasat e 2.5 mikrometra (µm) dhe 10 mikrometra (µm) dhe krijohen si pasojë e ndërtimeve, transportit, por edhe nga aktivitete të tjera urbane.
“Ndër grimcat më të rrezikshme që ne mund të quajmë si ndotësit kryesorë të ajrit janë grimcat PM2.5 dhe PM10. Këto grimca gjenden në ajër dhe shkaktohen kryesisht nga aktivitetet ndërtimore, transporti por gjithashtu edhe nga aktivitetet urbane intensive siç mund të jenë djegia e drurit apo e lëndëve të tjera djegëse të cilat shkaktojnë atë që qujamë dioksid karboni.
Për shkak të madhësisë më të vogël të grimcës PM2.5 ajo është më e rrezikshme pasi ato arrijnë të depërtojnë shumë thellë në rrugët e frymëmarrjes.” – shpjegon ekspertja Shehu.
Ndërsa normat e Bashkimit Evropian për grimcat PM2.5 dhe PM10 janë përkatësisht 10 dhe 20 µg/m³, të dhënat nga monitorimi i 13 stacioneve tregojnë se vlerat e regjistruara i kanë tejkaluar ato dy herë, si dhe kanë qenë tri herë mbi standardet e OBSH-së.
Hotspotet e ndotjes urbane
Në kryeqytet ka vende ku ajri nuk është thjesht i ndotur, është një rrezik i dukshëm për çdo frymëmarrje. 21 Dhjetori dhe Rruga e Kavajës janë dy prej këtyre zonave ku grimcat dhe gazrat toksikë përhapen çdo ditë, duke u bërë pjesë e përditshmërisë së banorëve.
Monitorimet e Co-Plan Qendrës për Zhvillimin e Habitatit tregojnë se këto zona nuk janë thjesht “pak më të ndotura” por ato janë hotspot-e të ndotjes urbane, ku PM2.5 dhe PM10 tejkalojnë dy herë normat e Bashkimit Evropian dhe trefish ato të OBSH-së. Pothuajse çdo stacion monitorimi në qytet tregon të njëjtat rezultate alarmuese, duke treguar një problem që prek të gjithë qytetin, por veçanërisht fëmijët pranë shkollave si “Mihal Grameno” dhe Medreseja.
“Megithatë një gjetje e rëndësishmë e këtij Raporti është se edhe zona pranë shkollës Mihal Grameno apo zona pranë shkollës Medresesë kishin nivele shumë të larta dhe shumë shqetësuese të ndotjes” – thotë Greta Shehu e cila ishte pjesë e grupit të punës që ka kryer monitorimet.
Zona e 21 Dhjetorit është kthyer në një nyje të rënduar nga trafiku, ku automjetet lëshojnë në ajër një përzierje toksikësh. Rruga e Kavajës dhe Zogu i Zi janë gjithashtu pika kritike, me grimca dhe dioksid azoti (NO₂) që tejkalojnë disa herë normat e lejuara. NO₂, gaz i prodhuar kryesisht nga djegia e karburanteve fosile, tejkalon në disa raste 4 herë standardin e lejuar.
Kjo, shpjegohet dhe me faktin se , këto zona, segmente kryesore ku gëlon lëvizja në qytet janë të mbipopulluara dhe karakterizohen nga trafiku kilometrik i automjeteve.
Transporti nuk është vetëm një nga sfidat e përditshme për qytetarët shqiptarë, por edhe ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes.
Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Shqipëria ka një park automjetesh të vjetëruar: mosha mesatare e automjeteve është 18 vjet dhe rreth 70 për qind e tyre përdorin naftë. Gati 9 në 10 makina janë mbi 10 vjet në përdorim dhe i përkasin standardeve Euro 0 deri në Euro 3, standarde të tejkaluara prej vitesh në vendet e Bashkimit Europian. Kjo situatë përkthehet në smog, emetime të larta të gazeve toksike dhe në përkeqësim të vazhdueshëm të cilësisë së ajrit.
Greta thotë se gjatë mëngjesit, kur edhe trafiku është i rënduar, vihej re shtim i gazrave dhe grimcave të dëmshme, si pasojë e djegieve të lëndëve fosile.
Edhe dioksidi i azotit (NO₂) është një gaz ndotës që prodhohet kryesisht nga djegia e karburanteve fosile dhe lidhet drejtpërdrejt me trafikun rrugor. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtij gazi konsiderohet i dëmshëm për sistemin respirator, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Të dhënat e mbledhura nga COPlan tregojnë se ndotja nga NO₂ ka qenë e pranishme gjatë gjithë periudhës së monitorimit dhe luhatjet ndjekin ritmin e aktivitetit urban.
Tirana nuk është qyteti i vetëm që frymon në ajër të ndotur. Disa qytete të tjera, gjithashtu njohin norma të larta ndotjeje. Elbasani, është një prej tyre. Ndotja e këtij qyteti lidhet me emetimin në ajër të mbetjeve të Uzinës Metalurgjike.
Eksperti i Mjedisit Ahmet Mehmeti tha për “shteg.org se ndotja e kësaj zone shqetëson banorët rreth zonës industrial, por edhe ato në qytetet e Belshit, Elbasanit, Cerrikut dhe Belshit, duke prekur të gjithë indet e trupit dhe duke shkaktuar sëmundje kancerogjene e gjenetike.
“Ndotja e ajrit në Elbasan është një nga problemet kryesore që shqetëson banorët, jo vetëm ata që ndodhen përqark zonës industriale por edhe qytetet Elbasan, Cerrik dhe Belësh. Kur në zonën industriale ndotja po themi është dyfish i normës së BE-së, në qytetin e Elbasanit ndotja është 100 përqind mbi normë. Sëmundjet që shkakton ndotja industriale prekin të gjitha indet e organizmit, përfshirë sëmundjet kancerogjene dhe gjenetike.” – tha për “shteg.org” eksperti mjedisor Ahmet Mehmeti.
Edhe qyteti i Korçës ka shfaqur rritje të ndotjes së ajrit, kryesisht nga përdorimi i sobave me qymyr dhe dru që rrisin PM10 dhe PM2.5, ndërsa Durrësi përballet me ndotje në rritje gjatë verës, si pasojë e fluksit të turistëve dhe aktivitetit urban sezonal.
Politikat e ajrit të pastër, vetëm në letër
Ndërsa qytetarët ndiejnë çdo ditë pasojat e ndotjes së ajrit, masat konkrete për përmirësimin e cilësisë së ajrit mbeten shpesh vetëm në letër. Shqipëria është e detyruar të monitorojë cilësinë e ajrit dhe të informojë publikun mbi ndikimin e ndotjes në shëndetin e popullatës, sipas ligjeve dhe direktivave të Bashkimit Europian. Megjithatë, prodhimi dhe publikimi i të dhënave mbetet i fragmentar, dhe kështu edhe masat për përmirësimin e situatës.
“Bazuar në të dhënat e monitoruara të cilësisë së ajrit, vlerësohet se cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është në një nivel shumë të mirë.” – thuhet në raportin “Për Gjendjen në Mjedis” të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2024.
Edhe pse fenomeni i ndotjes pranohet, masat mbeten kryesisht deklarative dhe retorike. Nga të dhënat e Barrës së Sëmundjeve (BoD), Shqipëria regjistroi 3,551 vdekje në vitin 2023 të lidhura me ekspozimin ndaj PM2.5 mbi normat e BE-së.
Aktivistët e mjedisit janë skeptikë ndaj veprimtarisë institucionale, duke theksuar mungesën e politikave urbane të qarta dhe menaxhimit mjedisor që vendos shëndetin e qytetarëve si prioritet.
“Kjo është një kambanë alarmi që ka vite dhe nuk po shohim reagim institucional. Institucionet kanë detyrë të informojnë komunitetet, por të dhënat janë të vjetra, jo koherente, dhe mungojnë raportet e monitorimit të cilësisë së ajrit.” – thotë Besjana Guri.
Ndërsa eksperti Ahmet Mehmeti, bën fajtorë institucionet dhe operatorët industrialë për moszbatimin e ligjeve të mjedisit, sidomos për zonën e Elbasanit.
“Ndotja e ajrit vjen si pasojë e moszbatimit të ligjit për mjedisin nga institucionet përkatëse dhe operatorët industrialë.” – i tha ai për “shteg.org”.
Aktivistët dhe ekspertët mjedisorë bëjnë thirrje për masa të menjëhershme duke identifikuar transportin kaotik dhe sektorin e ndërtimit si armiqtë kryesorë të ajrit të pastër.
“Për të minimizuar ndotjen e ajrit, masat më ekstreme duhet të merren në transport. Tirana nuk ka transport publik të mirëorganizuar, dhe duhet monitoruar mënyra dhe oraret e ndërtimeve, jo vetëm sepse ndërtohet pafund, por për të respektuar hapësirat dhe oraret që nuk dëmtojnë ajrin.” – thekson Besjana Guri.
Elementi kryesor që mund të përmirësojë ajrin mbeten hapësirat e gjelbërta, të cilat janë shumë të pakta. Ekspertët kërkojnë rivitalizimin e hapësirave të gjelbërta ekzistuese dhe mbjelljen e pemëve native, jo dekorative, që prodhojnë oksigjen gjatë gjithë vitit.
“Njerëzit shpesh i marrin gjërat si rutinë dhe nuk e kuptojnë seriozitetin. Edhe pse e dinë që ajri i ndotur nuk është i shëndetshëm, heshtin dhe nuk e ngrenë si problem, duke i bërë dëm vetes së tyre.” – thotë aktivistja Besjana Guri.

