Ishulli është zyrtarisht pjesë e Mbretërisë së Holandës, por ndodhet në mes të Karaibeve, pranë parajsave si Porto Riko, apo Republika Domenikane.
Udhëtimi final drejt ishullit zgjat 15 minuta, nga Saint Maarten. Avioni model DHC-6, me 19 vende, drejtohet vetëm nga një grup elitar pilotësh, të stërvitur enkas për këtë pistë. Aviatori veteran, Roger Hodge, është njeriu që i ka stërvitur të gjithë pilotët e rinj.
“Pasi kadetët përfundojnë trajnimin dhe jemi të kënaqur me të, e dërgojmë për të fluturuar dhe themi se lindi një tjetër Top Gun”, thotë ai për CNN. “Fluturimi është pa diskutim i rrezikshëm, por kur e di mirë se çfarë duhet të bësh, gjërat duken të qeta dhe të sigurta”.
Duke qenë se biletat janë pa numër, pasagjerët në avion nxitojnë të zënë vendin e parë, në mënyrë që të shohin edhe më mirë udhëtimin.
Zbritja e parë me avion në Saba u krye në vitin 1959, nga piloti ambicioz Remy de Haenen, nga ishulli fqinj St. Barthélemy. Shumë ishuj në Karaibe kishin arritur të ndërtonin pista për uljen e avionëve gjatë Luftës II Botërore, por në Saba terreni nuk linte shumë hapësirë.
Të gjithë e mbajnë mend akoma zbritjen e avionit Dornier Do-27, më 9 shkurt 1959. “U mblodhën të gjithë, ishte e mrekullueshme”, thotë për CNN James Franklin Johnson, një guidë turistike i cili në atë kohë ishte vetëm 8 vjeç. “Saba doli nga izolimi kur ai avion u ul në ishull”.