Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hapur një procedurë të klasifikuar prokurimi për sigurimin e një shërbimi satelitor për rrjetin e saj datacom, një projekt që konsiderohet pjesë e fushës së mbrojtjes dhe sigurisë dhe që do të zhvillohet në nivelin “Sekret”.
Procedura shënon nisjen e një procesi që synon përforcimin e infrastrukturës së komunikimit të Policisë së Shtetit përmes teknologjisë satelitore.
Kontrata, me një fond limit prej 78,831,999.96 lekë pa TVSH, ose rreth 820 mijë euro, parashikon një kohëzgjatje prej 36 muajsh nga momenti i lidhjes së saj.
Procesi do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë, autoriteti kontraktor do të kryejë parakualifikimin e kandidatëve, duke vlerësuar përvojën, aftësitë teknike dhe kapacitetet financiare të operatorëve ekonomikë për të realizuar kontratën. Qëllimi është përzgjedhja e operatorëve që ofrojnë garanci për zbatimin e suksesshëm të projektit dhe minimizimin e rrezikut të mosrealizimit të tij. Në këtë fazë do të ftohen të paktën tre kandidatë, nëse plotësohet numri minimal i interesit, për të garantuar konkurrencë dhe barazi.
Operatorët ekonomikë duhet të dëshmojnë se janë të regjistruar ligjërisht, nuk janë në falimentim apo likuidim dhe kanë përmbushur detyrimet tatimore. Gjithashtu, kërkohet që të kenë realizuar kontrata të ngjashme gjatë tri viteve të fundit dhe të kenë një xhiro vjetore që arrin të paktën 35% të fondit limit për të paktën një nga vitet financiare 2023, 2024 ose 2025. Një nga kushtet kryesore është posedimi i Certifikatës së Sigurimit Industrial në nivelin “Sekret”, e vlefshme në momentin e prokurimit.
Në fazën e dytë, kandidatët e kualifikuar do të ftohen të paraqesin ofertat e tyre ekonomike dhe dokumentacionin përkatës. Autoriteti kontraktor do të shqyrtojë ofertat dhe do të shpallë fituesin, ndërsa operatorët e ftuar do të jenë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e informacionit të klasifikuar dhe të kthejnë çdo dokument të ndjeshëm në rast se nuk paraqesin ofertë.
Procedura mbështetet në ligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe aktet nënligjore përkatëse, duke reflektuar rëndësinë strategjike të këtij shërbimi për funksionimin e sistemeve të komunikimit të Policisë së Shtetit dhe rritjen e sigurisë operacionale.
Marrë nga Ekofin.al

