Lufta në Ukrainë ka rritur në mënyrë drastike vigjilencën e forcave të NATO-s që ndodhen në lindje të Europës. Gazetari i CNN, Jim Sciutto, sjell pamje ekskluzive nga stërvitja e aleancës për t’u përgatitur për një sulm të mundshëm rus.
Me shpejtësi marramendëse, avionët luftarakë fluturojnë mbi anijet e NATO-s. Janë avionë gjermanë e polakë, por po luajnë rolin e avionëve sulmues rusë. E gjithë kjo është pjesë e stërvitjes ushtarake për shkak të tensionit gjithnjë e në rritje në frontin lindor të NATO-s.
Manovrat kryhen në ajër e në det, në mënyrë që të jenë gati për të gjitha skenarët. Ato po kryhen në Detin Baltik, shumë afër enklavës ruse të Kaliningradit. Jo më kot pilotët e NATO-s po fluturojnë me avionë MIG-29 dhe SUKHOI-24, identikë me ato që përdorin rusët.
Fregata gjermane Mecklenberg-Vorpommern është anija kryesore e skuadrës së gatishmërisë. “Jemi stërvitur dhe po stërvitemi në këto momente, por kur të jetë nevoja, mund të kryejmë çdo mision nga operacionet detare të sigurisë, te parandalimi dhe mbrojtja e aleancës kurdo që të jetë e nevojshme, në një kohë shumë të shkurtër”, thotë për CNN, Thorsten Marx, Admiral i Marinës gjermane.
Task-forca i afrohet edhe territorit rus, Kaliningradit. Gatishmëria rritet për gjithçka, nga sulmet kibernetike deri tek vrojtimi nga afër apo ngacmimet e anijeve dhe avionëve rusë.
Në mes të stërvitjes, oficerët në kuvertë raportojnë për avionë të vërtetë rusë, SUKHOI, që afrohen me shpejtësi. Marinarët skanojnë horizontin për t’i gjetur. Ata janë 50 milje detare larg, afrohen deri në 20 milje e më pas kthehen mbrapsht. Më vonë afrohen edhe dy anije luftarake ruse, të cilat ndalojnë vetëm 5 milje nga Task-forca e NATO-s.
Kjo skuadër, si e gjithë aleanca, është ndërkombëtare. Në të marrin pjesë anije gjermane, portugeze, spanjolle, polake, daneze dhe franceze.
Gazetari i CNN zbret nga fregata Mecklenberg për një udhëtim me skaf drejt fregatës portugeze Bartolomeu Dias. Atje, anëtarët e forcave speciale elitë portugeze stërviten për një sulm me varka të vogla… Armët i mbajnë të drejtuara nga horizonti, duke parë e duke pritur çdo të vijë prej andej.
Helikopterët patrullojnë ujërat, ditë e natë. Këto janë manovra stërvitore, por ushtarët dhe marinarët e bëjnë të qartë që po stërviten dhe janë gati për betejë të vërtetë.
“Duhet të jemi të aftë të kalojmë në çdo moment nga misionet kundër nëndetëseve tek ato kundër mjeteve detare, apo te transporti i udhëtarëve, shpërndarja e forcave speciale. Kështu që çdo ditë është e ndryshme për ne”, thotë për CNN Togeri René, komandant skuadriljeje ajrore gjermane.
Lufta në Ukrainë ka shtrirë hijen e saj në këtë territor. Anijet dhe marinarët janë dyfishuar në krahasim me periudhën para pushtimit. Dhe siç thotë komandanti i task-forcës, ata janë vija e parë e mbrojtjes së NATO-s në rast të agresionit rus.