Marina e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe i janë përgjigjur thirrjes së ekuipazhit të një anijeje në ngushticën e Hormuzit. Marina amerikane bëri të ditur se anija e mallrave shqetësohej vazhdmisht nga anijet e Gardës Revolucionare të Iranit.
Tre anije të Iranit me trupa të armatosura në bord iu afruan anijes tregtare në një distancë të afërt, ku sipas imazheve të shpërndara për mediat tregohet se si tre anije të vogla shfaqen pranë anijes tregtare.
Shkatërruesi i raketave të drejtuara të marinës amerikane USS McFaul dhe fregata e Marinës Mbretërore HMS Lancaster iu përgjigjën incidentit.
“Situata ishte e tendosur dhe një orë më vonë anija tregtare konfirmoi se anijet e shpejta të Iranit u larguan nga vendi i ngjarjes. Anija tregtare vijoi udhëtimin e ngushticës së Hormuzit pa ndonjë incident të mëtejshëm”, shkruan Marina amerikane.
Rreth 20 për qind e naftës në botë kalon nëpër ngushticën e Hormuzit, grykën e ngushtë të Gjirit Persik. Ndërsa Marina amerikane nuk e identifikoi se cila ishte anija e përfshirë në incident, të dhënat e gjurmimit të anijeve nga MarineTraffic.com të analizuara nga The Associated Press treguan se transportuesi me flamur nga Ishujt Marshall Venture ndryshoi në mënyrë të parregullt kursin ndërsa udhëtonte nëpër ngushticë gjatë kohës kur ndodhi incidenti.
Vendndodhja e saj përputhej gjithashtu me informacionin rreth incidentit të dhënë nga Operacionet e Tregtisë Detare të Britanisë së Madhe, një operacion ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar që mbikëqyr trafikun në rajon.
Media shtetërore iraniane dhe Garda Revolucionare nuk e pranuan të komentonin incidentin. Ndërsa misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj kërkesës së mediave për t’u përgjigjur për ngjarjen në fjalë.
Ky incident i fundit vjen pas një sërë incidentesh detare që përfshijnë Iranin pas tërheqjes së njëanshme të SHBA nga marrëveshja bërthamore e Teheranit me fuqitë botërore në vitin 2018, transmeton Al Jazeera.
SHBA dyshohet se ka sekuestruar Suez Rajan, një cisternë e lidhur me një firmë private të kapitalit amerikan dhe që besohet të ketë transportuar naftë bruto iraniane të sanksionuar nga Singapori. Ndërsa autoritetet nuk e kanë pranuar sekuestrimin e Suez Rajan, anija tani është në brigjet e Galveston, Teksas, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve të analizuara nga Associated Press.