Deklaratave se do të ketë pasoja dhe sanksione nëse nuk ka zgjidhje për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti iu është përgjigjur i prerë se në veri të vendit duhet të mbizotërojë demokracia dhe ligji.
Kurti tha se nuk është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës, por shtoi se strukturat ilegale të Serbisë nuk duhet të veprojnë në veri.
Lidhur me deklaratat e Escobar, Kurti tha se ka disa paqartësi mes tyre, por që gjërat do të zgjidhen pasi marrëdhëniet e Kosovës me SHBA dhe BE janë të shkëlqyera.
“Kam qenë konstruktiv, i përkushtuar, kreativ dhe jam që të gjitha këto, por nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash, ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët evropianë dhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe SHBA-në janë të shkëlqyeshme”, tha Kurti.
Lidhur me Asociacionin, Kurti tha se nuk ka asnjë draft duke iu kundërpërgjigjur të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili tha se qeveria e Kosovës e ka të gatshëm draftin për Asociacionin por po e mban të fshehur.
Më herët Escobar tha se “njerëzit e kuptojnë se çfarëdo vështirësi që i kemi me kryeministrin Kurti nuk e afektojnë këtë sentiment. Por i kemi disa sfida në raportet bilaterale derisa po merremi me Kryeministrin Kurti. Dua të jem shumë i sinqertë, SHBA ka qenë përkrahësi juaj më i madh dhe më dhemb që shoh se njerëzit mendoj se disi po e çojmë raportin tonë me Kosovën për përfitime të Serbisë”.