Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet të martën (23.12.) në një takim urgjent për të diskutuar tensionet midis Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara. Qeveria në Karakas kërkoi takimin me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Ndërkohë, retorika e qeverisë amerikane ndaj Venezuelës po bëhet gjithnjë e më e ashpër.
Në një konferencë për shtyp të hënën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump sugjeroi që Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro të japë dorëheqjen: “Varet tërësisht nga ai se çfarë dëshiron të bëjë. Mendoj se do të ishte e mençur nga ana e tij ta bënte këtë”, u përgjigj Trump kur u pyet nëse qeveria amerikane kishte ndërmend ta detyronte Maduron të jepte dorëheqjen duke ushtruar presion mbi Venezuelën. Trump shtoi, se “nëse ai dëshiron të bëjë diçka – nëse sillet ashpër, do të jetë hera e fundit që do të sillet ashpër.”
Pak më parë edhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem kishte kërkuar dorëheqjen e Maduros. “Ne nuk kufizohemi vetëm në kapjen e këtyre anijeve, por gjithashtu po i dërgojmë botës një mesazh se aktivitetet e paligjshme të Maduros janë të patolerueshme dhe se ai duhet të largohet”, tha Noem për Fox News. Anijet për të cilat e ka fjalën Noem janë dy cisterna nafte që SHBA-të i sekuestruan së fundmi në brigjet e Venezuelës. Një anije e tretë mallrash thuhet se është ende duke u gjurmuar nga Roja Bregdetare e SHBA-së.
Trump: “Do të mbajmë anijet”
Sipas Trump, cisternat e naftës të sekuestruara do të mbeten në pronësi të Shteteve të Bashkuara. Duke iu referuar cisternës së parë të naftës të sekuestruar më 10 dhjetor, republikani tha për naftën: “Ne do ta mbajmë atë”. Ai shtoi se ajo mund të përdoret për rezerva strategjike. Trump vazhdoi: “Ne do i mbajmë edhe anijet”.
Qeveria e Venezuelës e dënoi ashpër sekuestrimin. Eksportet e naftës bruto të Venezuelës kanë rënë ndjeshëm që atëherë. Anijet e ngarkuara mbeten në ujërat e Venezuelës nnga frika se rrezikojnë konfiskimin. Në fillim të viteve 2000, Venezuela shtetëzoi fushat e naftës, duke prekur kompanitë e huaja, përfshirë ato nga SHBA-ja. Kjo u pasua nga një mosmarrëveshje për kompensimin.
Fushata kërcënuese e Trump kundër Maduros përfshin praninë ushtarake në rritje në rajonin e Amerikës së Jugut. Përpara operacioneve kundër cisternave të naftës, ushtria amerikane kishte sulmuar vazhdimisht anije në Karaibe dhe në Paqësorin lindor në javët e fundit, duke pretenduar se ato kontrabandonin drogë drejt Shteteve të Bashkuara. Dhjetëra njerëz humbën jetën në këto sulme.




