Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell ka deklaruar se do të kërkojë përkrahjen e shteteve anëtare të BE-së që të ushtrojnë presion ndaj Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të çtensionet situata.
Borrell ka bërë thirrje që dy vendet t’i rikthehen normalitetit, ndryshe do të përballen me pasoja. Gjithashtu Borrell ka shpjeguar se vendet anëtare të BE-së kanë vendosur për masa ekonomike dhe politike ndaj Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që ato të kontribuojnë në çtensionim të situatës.
“Do t’i njoftoj liderët për gjithë punën time gjatë këtyre ditëve, dhe do t’u kërkojë mbështetjen e tyre që të vazhdojmë me presion në drejtim të palëve (Kosovës e Serbisë), në mënyrë që të shmangim eskalimin dhe t’i kthehemi normalitetit.
Vendet anëtare kanë vendosur se duhet ndërmarrë masa, ekonomike e politike, në mënyrë që t’ua bëjmë të qartë se nëse nuk kontribuojnë në shtensionim, kjo do të ketë kosto”, u shpreh Borrell për mediat para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian që mbahet sot dhe nesër në Bruksel.
https://newsroom.consilium.europa.eu/embed/246531
Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në zyrat e tyre nën shoqërinë e Policisë së Kosovës.
Ata hasën në kundërshtimin e serbëve, të cilët protestuan duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore, ndërsa ushtruan dhunë ndaj forcave të KFOR-it, policisë së Kosovës dhe mediave.
Ndërkaaq, faktori ndërkombëtar ka ushtruar presion ndaj qeverisë Kurti duke i paraqitur këtij të fundit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket Beogradit, faktori ndërkombëtar i ka kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale. Nga ana e tij, Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të reja por me kushtin që ato të shoqërohen me sundimin e ligjit dhe ushtrimin e elementëve të shtetit ligjor të Kosovës në veri të saj.