Policia në Spanjë ka vënë në pranga dy shqiptarë që ishin arratisur nga vendi ynë pas një tentative për të vrarë anëtarë të një organizate kriminale rivale.
Autoritetet spanjolle njoftojnë se arrestimet u kryen në Barcelonë dhe në Madrid, ndërsa bëhet e ditur po ashtu se dy shqiptarët e vënë në pranga akuzohen për veprat penale të armëmbajtjes pa leje, mbajtjes së eksplozivëve dhe pastrimit të parave.
Autoritetet spanjolle u vunë në dijeni të pranisë së tyre në nëntorin e kaluar dhe, siç njoftohet, pas përpjekjeve të ndryshme, Interpol-i ka lëshuar dy urdhërarreste ndaj të dyve.
Dy të arrestuarit akuzohen për ngjarje kriminale që kanë ndodhur në Shqipëri në vitin 2021, ku organizata kriminale e drejtuar nga të arrestuarit po përgatitej të kryente një sulm për të eliminuar disa persona të përfshirë në ndërprerjen e veprimtarisë së tyre kriminale në trafikun e drogës.
Njëri prej të arrestuarve ishte i përfshirë në zbulimin e një sasie lëndësh plasëse tipit C-4 në vendin tonë, pesë armë zjarri automatik… disa pajisje celulare dhe 88 990 euro kesh.
Për këto aktivitete, ai po hetohej në Spanjë pasi iu gjetën tri armë zjarri, dy silenciatorë dhe disa gëzhoja, të gjitha të fshehura mes rrobave. Ndërsa shqiptarit tjetër të arrestuar iu sekuestruan tre automatikë AK-47, dy eksplozivë të improvizuar, një armë automatike dhe rreth 90 mijë euro në shtëpinë e tij në Shqipëri.
Në Spanjë ai është i përfshirë në trafikun e drogës dhe falsifikimin e dokumenteve dhe pas disa kohësh hetime u mësua vendndodhja e tij në qendër të Madridit ku edhe u vu në pranga.