Disa mbështetës të teorive konspirative dhe përkrahës të ish-presidentit Donald Trump kanë shpërndarë masivisht në rrjetet sociale akuza se zëvendëspresidentja Kamala Harris u ndihmua fshehtas dhe padrejtësisht në debatin e së martës mbrëma përballë kandidatit republikan.
Sipas tyre ajo kishte vendosur një palë vathë që përmbanin një pajisje klandestine me Bluetooth që i mundësoi asaj të ndihmohej në distancë gjatë debatit në ABC News në Filadelfia. Kjo sipas tyre ishte një shkelje flagrante e rregullave të përcaktuara nga rrjeti në pronësi të Disney.
Një përdorues i “X” i quajtur The Maverick Approach ishte i pari që hodhi pretendimin se Harris ishte pajisur me një palë vathë inteligjentë të prodhuar nga NOVA, një kompani gjermane.
“Ka një çështje të madhe me këtë debat. I thashë vetes se ajo ishte mësuar se çfarë duhet të thoshte gjatë debatit dhe mendimet e mia ishin të drejta. Nova janë vathët e parë dhe të vetëm të kufjeve me valë në botë” – shkroi ai.
Megjithatë, vathët audio NOVA H1 duken shumë ndryshe nga ato që Harris kishte vendosur përballjes, përveç faktit që të dyja përbëhen nga perla. Kamala kishte vendosur një version ari të vathëve me perla nga Tiffany & Co, i cili nuk dihet se përfshin elektronikën në bizhuteritë e tij luksoze.
Vathët audio NOVA H1 me kapëse shiten për rreth 625 dollarë secili dhe janë në gjendje të “projektojnë tingullin nga brenda perlës drejt e në kanalin tuaj të veshit”, sipas faqes së saj online.
“Këta vathë janë të mbushur plotësisht me teknologjinë më të fundit të ngulitur në perla të vërteta për t’ju ofruar muzikë, telefonata dhe asistentë dixhitalë gjatë gjithë ditës” – shkruhet në faqen online të kompanisë.
Në të kaluarën, Harris ka qenë një kundërshtare e kufjeve me Bluetooth si një kërcënim sigurie dhe është parë shpesh duke përdorur kufje me kabllo në takimet e fushatës. Pavarësisht ndryshimeve, teoritë konspirative u përforcuan dhe u shpërndanë gjerësisht në mediat sociale. Postimi i Maverick Approach arriti shpejt afro 100 000 shikime përpara se të dukej se edhe vetë po e pranonin mashtrimin.
“Nuk mund ta besoj se sa e lehtë është të mashtrosh dhe t’i bësh të gjithë të besojnë” – shkroi më vonë The Maverick Approach në X. Edhe uebsajtet që bëjnë filtrimin e lajmeve i rrëzuan shpejt këto pretendime.
Të mërkurën në mëngjes, ishte vetë Trump që sugjeroi se Harris kishte marrë njohuri paraprake për atë që do të diskutohej. “Ata bënë një shfaqje të manipuluar me dikë që ndoshta kishte edhe përgjigjet. Dmth, do të jem i sinqertë. E pashë duke folur dhe i thashë: “E dini, ajo duket jashtëzakonisht në njohuri me pyetjet”, – tha 78-vjeçari Trump për “Fox & Friends”.