Pasi mungoi pothuajse të gjithë sezonin e kaluar për shkak të një dëmtimi, portieri gjerman, Marc-Andre Ter Stegen tani do të jetë jashtë fushave për të paktën tre muaj të tjerë për shkak të një operacioni në shpinë, të cilin thuhet se vendosi t’i nënshtrohej pa marrëveshje paraprake me klubin.
Barcelona ka kërkuar që ai t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për njëfarë kohe, por Ter Stegen refuzoi, deri dje, pas së cilës ai njoftoi në rrjetet sociale se operacioni do të kryhet.
“Vesh ngjyrat dhe fanellën e Barcelonës me shumë krenari, si në fushë ashtu edhe jashtë saj, në momente suksesi dhe në kohë të vështira. Sot është një ditë e vështirë për mua në nivel personal. Fizikisht ndihem në formë shumë të mirë, megjithëse për fat të keq ende ndiej dhimbje”.
“Pas diskutimeve intensive me ekipin mjekësor të Barcelonës dhe ekspertë të jashtëm, mënyra më e shpejtë dhe e sigurt për t’u rikuperuar plotësisht është operacioni në shpinë. Pas operacionit tim të fundit në shpinë, u ktheva në fushë pas pothuajse 2 muajsh. Këtë herë, mjekët besojnë se rreth tre muaj do të jenë të nevojshëm si masë paraprake për të shmangur çdo rrezik”.
“Më dhemb që nuk mund ta mbështes ekipin gjatë kësaj kohe, por për fat të mirë, rehabilitimi është i durueshëm dhe rruga për t’u rikthyer është e qartë. Do t’ju mbaj të informuar për rikuperimin tim dhe dua t’ju falënderoj sinqerisht të gjithëve ju, miq të dashur, që keni qenë gjithmonë pranë meje. Mos u shqetësoni, do të kthehem”, ka shkruar Ter Stegen.
Megjithatë, në mediat spanjolle pati spekulime se gjermani vendosi për një veprim të tillë në mënyrë që La Liga të bllokonte Barcelonën nga regjistrimi i dikujt tjetër, gjë që ata kanë të drejtë ta bëjnë nëse një lojtar është jashtë fushës për të paktën katër muaj.
Në rast se Barcelona njofton se rikuperimi i Ter Stegen do të zgjasë të paktën katër muaj, klubi do të ketë të drejtë ta heqë atë nga lista e lojtarëve të regjistruar.

Pikërisht për këtë arsye portieri gjerman tha se do të pushojë për tre muaj në mënyrë që të parandalojë që Barcelona ta heqë nga lista e lojtarëve të regjistruar për ndeshje zyrtare në sezonin e ardhshëm.
“Ajo që bëri Ter Stegen është e papranueshme. Janë mjekët ata që përcaktojnë se sa kohë i duhet dikujt për t’u rikuperuar nga një dëmtim. Ai nuk duhet ta veshë më kurrë fanellën e Barcelonës”, njoftoi gazetari Jose Alvarez. /