Një tërmet i paprecedentë po i afrohet kombëtares gjermane të futbollit. I pari “kokë turku” është bërë Oliver Bierhoff, i cili ishte zyrtari i parë i lartë që dha dorëheqjen si rezultat i eliminimit të dytë radhazi në fazën e grupeve të një Kupe Bote.
Siç kanë pohuar disa media të mirinformuara gjermane, edhe Hansi Flick mund të ndjekë hapat e menaxherit dhe do të dorëhiqet.
Përmes një deklarate, trajneri bëri të qartë se nuk është i kënaqur me lamtumirën e Bierhoff, një prej njerëzve të tij më të besuar në organikën gjermane: “Si stafi im stërvitor dhe unë e kemi të vështirë në këtë moment të imagjinojmë se si mund të plotësohet boshllëku i krijuar nga largimi i Oliver, si profesionalisht ashtu edhe personalisht”.
Këto janë fjalë që bien shumë në kundërshtim me deklaratat e para që Flick bëri sapo u eliminua nga Botërori. “Për mua, nuk ka arsye të mos vazhdoj”, thonte Flick për “ARD”.
Dorëheqja e Bierhoff duket se ka ndryshuar gjithçka. “Për mua, Oliver ishte kontakti dhe miku im i parë brenda ekipit. Synim të përbashkët e kishim projektin për “Euro 2024” në Gjermani”, përfundoi ai.
Matthias Sammer, legjenda e Borussia Dortmund dhe ish-drejtor sportiv i Mannschaft, tashmë po përmendet si një pasardhës i mundshëm i Bierhoff. Ndërsa Thomas Tuchel është kandidati kryesor për t’u ulur në pankinën gjermane nëse Flick përfundimisht jep dorëheqjen.