Mbi 600 persona dyshohet se kanë humbur jetën dhe më shumë se 1.500 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një tërmeti me magnitudë 6.0 të shkallës Rihter që goditi mbrëmjen e së dielës Afganistanin Lindor, pranë kufirit me Pakistanin.
Operacionet e shpëtimit janë ende në vijim, ndërsa raportimet nga zonat e prekura tregojnë për dëme të mëdha dhe viktima të shumta.
“Numri i viktimave dhe i të plagosurve është i lartë, por për shkak të vështirësive në aksesimin e zonës, ekipet tona janë ende në vendngjarje,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sharafat Zaman.
Sediqullah Quraishi Badloon, zyrtar për informim në provincën Nangarhar, deklaroi për New York Times se më shumë jetë të humbura u shënuan në provincën e Kunarit.
“Qindra të plagosur janë dërguar në spitalet e zonës,” tha Najibullah Hanif, kreu i informacionit për provincën Kunar. “Shifrat pritet të rriten ndjeshëm, pasi kemi pak rrugë dhe komunikim me zonat më të prekura.”
Tërmeti u regjistrua në orën 23:47 të së dielës, me epiqendrën rreth 27 km në verilindje të qytetit Jalalabad dhe me një thellësi vetëm 8 km, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së. Një tjetër tërmet me magnitudë 4,5 goditi të njëjtën zonë vetëm 20 minuta më pas.
Qyteti Jalalabad, me një popullsi mbi 300 mijë banorë dhe një ekonomi të mbështetur në tregti dhe bujqësi, ndodhet pranë kufirit me Pakistanin dhe është një nga zonat më të populluara të rajonit. Ndërtesat e ulëta të ndërtuara kryesisht me tulla balte dhe materiale të dobëta kanë kontribuar në shkallën e dëmtimeve.
Në rajonet malore të Kunarit dhe Nangarharit, pranë kufirit me provincën Khyber Pakhtunkhëa të Pakistanit, shumë banesa janë shembur plotësisht.
Afganistani është një nga vendet më të rrezikuara nga tërmetet në rajon për shkak të vendndodhjes së tij në zonën ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike. Vitin e kaluar, një seri tërmetesh në perëndim të vendit shkaktuan mbi 1 mijë viktima, duke nënvizuar cenueshmërinë e vendit ndaj fatkeqësive natyrore.
Autoritetet kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare dhe mbështetje urgjente humanitare për të përballuar pasojat e katastrofës.