Numri i njerëzve të vrarë në Myanmar pas një tërmeti të fuqishëm është rritur në 1002 dhe 2376 të tjerë janë të lënduar, sipas qeverisë ushtarake të vendit.
Kreu i qeverisë ushtarake ka konfirmuar se 30 të tjerë janë të zhdukur dhe ka urdhëruar një përpjekje të shpejtë shpëtimi pas tërmetit me magnitudë 7.7 ballë.
Bëhet e ditur se tërmeti pati një thellësi prej 10 kilometrash. Pati edhe pasgoditje, me një magnitudë të fortë 6.4 ballë, 12 minuta më vonë.
Presidenti i Kinës Xi Jinping i ka dërguar një mesazh ngushëllimi liderit të Myanmarit Min Aung Hlaing pas tërmetit dhe, sipas ambasadës kineze në Myanmar, ata kanë folur në telefon.
Një ekip kinez i shpëtimit ka mbërritur në Yangon, ish-kryeqytetin e Myanmarit, herët të shtunën, ndërsa Rusia dhe SHBA-ja kanë ofruar gjithashtu ndihmë humanitare.
Raportohet se nga tërmeti u prek edhe Tajlanda fqinje, duke lënë tetë të vdekur, tetë të lënduar dhe 79 të zhdukur, shkruan skynews.
Ndërtesat në pesë qytete dhe qyteza të Myanmarit u shembën, së bashku me shumë ura.
Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha se stafi i OKB-së po punonte për të mbledhur informacion mbi numrin e njerëzve të prekur nga tërmeti dhe shtrirjen e nevojave humanitare.
Junta ushtarake në pushtet njoftoi se një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në rajonin Sagaing, rajonin Mandalay, rajonin Magway dhe shtetin verilindor Shan, zonën e Këshillit Nay Pyi Taw dhe Rajonin Bago.
“Qeveria ka urdhëruar një hetim të shpejtë të dëmeve në këto zona”, shtoi junta në një deklaratë.
“Ne do të kryejmë menjëherë operacionet e ndihmave. Ne do të punojmë gjithashtu për të ofruar ndihmën e nevojshme për katastrofat dhe ndihmën humanitare.”
Ndryshe, Kryqi i Kuq ka thënë se përpjekjet e ekipeve të tyre për të arritur në rajonet Mandalay dhe Sagaing dhe shtetin jugor Shan janë bërë më sfiduese nga linjat e rrëzuara të energjisë. /Telegrafi/