Prefekti i Qarkut të Korçës, Dhori Spirollari deklaroi sot për ATSH-në se, “nga tërmeti i ditës së djeshme nuk ka banesa të reja të dëmtuara, por janë thelluar dëmet në 10 banesa që ishin dëmtuar lehtë nga tërmeti i datës 1 qershor”.
Spirollari tha se “banesat në të cilat janë thelluar dëmet kanë qenë në proces dëmshpërblimi, por tani gjithçka mbi vlerën e dëmshpërblimit do të rishikohet nga grupet e punës”.
“Nga tërmeti që goditi dje Korçën nuk ka banesa të reja të dëmtuara por janë thelluar dëmet konkretisht në 6 banesa në fshatin Qafëzezë dhe në 4 banesa në Vidohovë”, tha ai.
Prefekti i Korçës shtoi se grupi i punës që është në terren po evidenton dëmet e shkaktuara.
I pyetur mbi ecurinë e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 1 qershorit, Spirollari tha se “jemi në fazën përfundimtare të rindërtimit”.
Sipas tij, “rikonstruksionet pothuajse kanë përfunduar dhe ndërtimi i banesave të reja është po ashtu drejt përfundimit”.
Një tërmet 5.2 ballë goditi Korçën mëngjesin e djeshëm. Sipas Institutit të Gjeoshkencave epiqendra e tërmetit ishte në fshatin Miras, 11 km nga Korça me thellësi 25 km./ATSH/