Kompania amerikane Tesla zyrtarisht paraqiti një kërkesë për licencë për furnizimin me energji elektrike në tregun britanik te rregullatori i energjisë Ofgem në fund të muajit të kaluar.
Prodhuesi i automjeteve elektrike po përgatitet të furnizojë me energji elektrike shtëpitë dhe bizneset britanike.
Nëse kërkesa e tij miratohet, ky veprim mund t’i hapë rrugën për të konkurruar me kompanitë e mëdha që dominojnë tregun britanik të energjisë që në vitin e ardhshëm, shkruan BBC.
Oferta, e raportuar për herë të parë nga Sunday Telegraph, erdhi nga Tesla Energy Ventures dhe u nënshkrua nga Andrew Payne, i cili është përgjegjës për projektet energjetike të kompanisë në Evropë.
Tesla, e njohur më së miri si një nga prodhuesit kryesorë të automjeteve elektrike në botë, zhvillon gjithashtu sisteme të gjenerimit të energjisë diellore dhe produkte të ruajtjes së energjisë në bateri.
Kompania e Elon Musk tashmë furnizon me energji elektrike konsumatorët në Teksas, nëpërmjet Tesla Electric.
Tani po përpiqet të sigurojë leje për të furnizuar me energji elektrike familjet britanike, ndërsa përballet me një rënie të zgjatur të shitjeve në Evropë.
Shifrat e publikuara javën e kaluar nga shoqata e prodhuesve të automjeteve në Mbretërinë e Bashkuar SMMT treguan se shitjet e veturave të reja ranë me pothuajse 60% muajin e kaluar në 987 automjete, nga 2,462 një vit më parë.
Ndërkohë, në Gjermani, shitjet e Tesla ranë në 1,110 automjete në korrik, 55.1% më pak se i njëjti muaj në vitin 2024.