Gjatë tetorit, muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, godina e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të qëndrojë e ndriçuar rozë, për sensibilizimin e grave dhe vajzave për identifikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.
Shërbimin falas të mamografisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ka shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe e ofron falas, ndërkohë që repartet onkologjike janë zgjeruar për të bërë sa më shumë diagnostikime, me synim uljen e numrit të fataliteteve.
Në nisje të “Tetorit rozë”, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu u bëri një ftesë të gjitha grave dhe vajzave që të bashkëpunojnë me strukturat e shëndetësisë, pasi duke i diagnostikuar herët rastet dhe duke i bërë mamografitë në kohë, mund të shpëtohen jetë.
Kanceri i gjirit merr miliona jetë kudo në botë, ndaj dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë për t’I dhënë më shumë vëmendje e ka shpallur muajin tetor, muajin e luftës kundër kancerit të gjirit.