Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq se ka shkelur marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian për të cilën ai në parim u pajtua në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Pas kthimit nga Brukseli, Vuçiq të martën deklaroi Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e shumë gjërave nga plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por tha se “nuk dua dhe nuk mund të diskutoj për njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kryeministri Kurti, duke thënë se kjo do të bënte shkelje të Nenit 4 të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të Nenti 4. të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”, ka shkruar Kurti në një postim në Twitter.
Në Nenin 4. të marrëveshjes sipas propozimit evropian thuhet se “Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Ndërsa, Vuçiq tha se të hënën në Bruksel është rënë dakord për më shumë bisedime.
“Nuk është çështja për një nen, një letër, një takim. Dje në Bruksel është biseduar, jemi marrë vesh, do të vazhdojmë, do të ketë më shumë bisedime. Asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiq.
Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel më 27 shkurt dhe u pajtuan që të vazhdojnë bisedimet për zbatimin e propozimit evropian për normalizim.
Kurti, ka thënë të mërkurën se Kosova është rrëfim suksesi dhe vend normal demokratik, por se marrëdhëniet me Serbinë nuk i ka normale.
“Duhet të normalizojmë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe besoj se normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet me njohje të ndërsjellë, si pjesë qendrore. Kjo është thënë nga presidenti amerikan, Joe Biden, nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kancelari gjerman, Olaf Scholz, që njohja e ndërsjellë është pjesa thelbësore për normalizim të plotë të marrëdhënieve, për çka jemi duke punuar me shumë zell”, ka thënë Kurti në Forumin Ekonomik, që është duke u mbajtur në Shkup. Ai ka përmendur se si Kosova, ashtu edhe Serbia e kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt.