Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Fondacioni Walker, një organ i ngritur nga diplomati William Walker, kreu i kohës së luftës i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, kanë nënshkruar një kontratë me vlerë 35,000 euro e cila do të financohet nga buxheti i shtetit.
Marrëveshja pesë-mujore për shërbimet e këshillimit ndërmjet Zyrës së Presidentit të Kosovës dhe Fondacionit Walker, filloi në gusht të vitit 2020 dhe vlen 7,000 euro në muaj, shkruan BIRN.
Fondacioni ka për detyrë të sigurojë ekspertizë mbi imazhin ndërkombëtar të Kosovës, përpjekjet e saj diplomatike dhe integrimin e saj Euro-Atlantik.
Në kontratë thuhet se: “Ofruesi i shërbimit do të sigurojë ekspertizë të përparuar në çështjet që përfshijnë, por nuk kufizohen në: Përfaqësimin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës, zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e tjera, forcimin e funksionimit demokratik të institucioneve të Republika e Kosovës, dhe avancimi i iniciativave ekonomike dhe integrimi i Kosovës në strukturat Euro-Atlantike ”.
Marrëveshja përfundon më dhjetor 2020, me mundësinë e zgjatjes për gjashtë muaj të tjerë.