Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën për media thotë se askush nuk duhet të bëjë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, përderisa ky institucion po e trajton çështjen e mandatimit të Avdullah Hotit si kandidat për kryeministër.
Thaçi ka thënë në konferencën e thirrur për media se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese argumentet për dekretimin e tij për kandidatin për kryeministër.
Ai tutje kërkon që askush të mos i bëjë presion Kushtetueses.
“E theksoj sot se qenësore për demokracinë në Kosovë që GjK të punojë e pavarur, pa presione nga cilado palë, qoftë nga politika, shoqëria civile apo bashkësia ndërkombëtare. Askush nuk mund t’i bllokojë institucionet e vendit”, ka thënë Thaçi.
Kreu i shtetit gjithashtu ka kritikuar qeverinë rreth procesit të karantinimit në Qendrën e Studentëve, duke theksuar se një proces i tillë nuk duhet të përzihet me politikë.
Thaçi ka falënderuar mjekët, infermierët dhe IKSHP-në për punën që kanë bërë në parandalimin e përhapjes së virusit.
“Kosova deri tani është përballë me sukses me pandeminë. Ritheksoj mirënjohjen per mjekët, infermierit, tërë IKSHPK për punën e palodhshme”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaci ka bërë thirrje që të respektohet të gjitha këshillat e IKSHPK’së, derisa ka thënë se karantinimi në Qendrën e Studentëve duhet të bëhet në mënyrë profesionale dhe të mos merren vendime për karantinim ose jo bazuar në preferenca politike.
“Karantinimi në Qendër të Studentëve të bëhet në mënyrë profesionale dhe të mos ketë qasje selektive politike, dikush të karantinohet e dikush jo”, ka thënë Thaçi.