Në konferencën e djeshme për shtyp, Menduh Thaçi iu drejtua opinionit për temat e fundit në vend. Mes tjerash, ai potencoi se qytetarët shqiptarë i kanë respektuar masat dhe faji nuk ju takon atyre, përcjell Gazeta Express.
Konferenca e plotë e Thaçit:
“Dua vetëm t’i përkujtoj njerëzit se koketimet e Bujar Osmanit me krerët apo bandën ende në fuqi të Bashkësisë së Fesë Islame, trysnija që u krijua në opinion se duhet të hapen xhamitë, duhet të falet Bajrami, tash asnjëri nga ato nuk del t’a merr fajin dhe përgjegjësinë. Pa diskutim se në këtë drejtim faji personal shkon drejtpërdrejtë te Bujar Osmani dhe ai nuk mund t’i ikë këtij faji, poashtu edhe Arben Maratari i Gostivarit, që përsëriste deklarata joprofesionale duke kërkuar të hapen kafeteritë në Gostivar, të pihet nga një kafe apo dy, por pastaj deklarimet e tij tërësisht anti-shqiptare se shqiptarët janë fajtor dhe nuk i respektojnë masat ndërsa maqedonasit i respektojnë masat. Në ndërkohë edhe Ziadini bën pjesë në këtë grup. Këto 3 emra i përmend sepse i kam kolegë në aspektin profesional, së paku minimumin e moralit po të kenë Bujari dhe ky grupacion, të etikës profesionale shëndetësore, Betimin e Hipokratit që të gjithë së bashku e kemi dhënë, duhet të tërhiqen nga skena dhe të kërkojnë falje për këtë situatë”, tha kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.