Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në emisionin Pressing të T7, ka komentuar arrestimin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Thaçi tha se ai aktivist deshi ta sulmojë presidentin gjatë mbajtjes së konferencës.
“Unë nuk e kam parë videon, por toleranca do të jetë zero për fyerje cenime fizike, kështuqë unë mendoj se njerëzit e kanë kryer punën e tyre profesionale”, është shprehur Thaçi.
“Askush s’ka të drejtë të cenojë presidentin apo konferencën e tij”.
Tutje, ai tha se Kurti duhet ta ketë parasysh se toleranca ndaj provokimeve do të jetë zero.
“Gjesti i tij ishte një tentim për sulm ndaj meje. Kurti duhet ta ketë parasysh se nuk do të lejohet me provoku, toleranca do të jetë zero”, thotë Thaçi.
Gjithashtu, Thaçi përmendi shprehjen popullore ‘dy duar për një kokë’.
“Ai është një aktivist i Kurtit. Dy duar për një kry janë, ai që pretendon me goditë unë jam që ta godas i pari”, shtoi Thaçi.
Thaçi ka thënë se kryetari i VV-së, Albin Kurti është dashur të vijë vetë në përballet me të e jo të dërgojë aktivista.
‘’Ma mirë të kishte ardhur Kurti e jo të dërgoj njerëz 20 vjecar kështu’’, ka thënë Thaçi.
‘’Është mësuar grupi i tij të lëshojë gaz lotsjellës në Kuvend. Po ashtu të fryejë me bilbil në vesh tek deputetët në Kuvend.’’
Tutje ai ka folur edhe për rezultatet e dy zgjedhjeve të fundit në Kosovë ku Kurti ka dalë personi më i votuar.
‘’Unë e kam mposhtur politikisht, por edhe nëse vjen përballë meje.’’, ka thënë ai.
‘’Ka prova që ai ka blerë vota në diasporë dhe ka manipuluar me zgjedhje. Ka dëshmi për këtë. KQZ duhet të marrë masa pasi nuk e di nëse rezultati i dy zgjedhjeve të fundit ka qenë korrekt’’, përfundon Thaci.