Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë në konferencë pas takimit të parë zyrtar të tij me kryeministrin Avdullah Hoti. Në lidhje me atë se kush do ta udhëheqë dialogun, Thaçi ka thënë se Kushtetuta e tregon qartë këtë.
Në një takim që zgjati më pak se një orë, Thaçi thotë që folën për gjendjen e vendit nga pandemia dhe për rimëkëmbjen ekonomike dhe për dialogun me Serbinë.
“Koordinimin e hapave të institucioneve qoftë në rrafshin e brendshëm, qoftë të jashtëm, duke respektuar ligjet dhe kushtetutën”, u shpreh Thaçi.
“Do të punojmë ngushtë me njëri-tjetrin, si president dhe kryeministër, por edhe me Kuvendin dhe partitë politike, pozitë dhe opozitë”, tha Presidenti.
“Unë nuk jam i informuar për agjendën e z. Lajcak. Nuk është koha të hapen çështje teknike, me pretendime për normalizim të raporteve. Lajcak duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Nëse vjen me këtë objektivë se ky proces duhet të përmbyllet, me njohje reciproke. Çdo qasje tjetër, lirisht mund të them se është dështim i tij në Kosovë dhe i gjithë Bashkimit Evropian. Lajcak duhet ta kuptojë se qytetarët e Kosovës para së gjithash kanë nevojë për liberalizim të vizave.
“Ne kemi Kushtetutën, e cila i përcakton qartë kompetencat e secilit”, tha Thaçi, kur u pyet se a foli me Hotin kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë.