Në Hagë është mbajtur konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas zgjerimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorisë Speciale.
Seanca ka filluar me prezantimin e palës mbrojtëse, si dhe përfaqësuesve të Prokurorisë dhe Gjykatës.
Ish-presidenti Hashim Thaçi ka ndjekur këtë konferencë përmes lidhjes direkete, shkruan Telegrafi.
Gjykatësi Nicolas Guillou, ka pyetur ish-presidentin nëse e ka pranuar aktakuzën e ndryshuar me akuzat e reja dhe të konfirmuar, Thaçi është shprehur se po.
Pastaj gjykatësi ka pyetur sërish Thaçin nëse e i ka kuptuar akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar.
Ish-presidenti Hashim Thaçi ka thënë se nuk i ka kuptuar sepse s’ka mundur t’i lexoj për shkak të redaktuarave të shumta, derisa shton se është i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave që rëndojnë mbi të.
“Nuk i kam kuptuar për arsye se skam pasur mundësi ti lexoj sepse kanë qenë shumë të redaktuara. Deklarohem i pafajshëm edhe pse ende nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar”, ka thënë Thaçi.
Avokati Gregory Kehoe tha se akuzat janë shumë të redaktuara dhe kjo e bën klientin e tij dhe të akuzuarit e tjerë të mos kenë mundësi të kuptojnë se çfarë saktësisht po paraqet Prokurori i Sspecializuar dhe se kjo është vështirësi e vazhdueshme.
“Me këto redaktime është e pamundur të kuptohet nga ai se për çfarë bëhet fjalë dhe ne i kemi kaluar këto me Thaçin, i kemi diskutuar këto çështje dhe kemi thënë se do të vetdeklarohet i pafajshëm në këtë moment”, tha Kehoe.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin. Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.