Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përfaqëson sot Republikën e Kosovës në Samitin e Zagrebit. Përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar, presidenti ka thënë se ka kërkuar nga BE’ja liberalizimin e vizave për Kosovën.
Thaçi gjithashtu ka thënë se do të theksojë nevojën për të bërë hapa të përbashkët në përballjen me pandeminë COVID-19.
“Përmes videolidhjeve ka nisur Samiti i Zagrebit, ku do të ketë fjalime nga liderët e secilit vend anëtar të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si President i Kosovës do të theksoj nevojën për liberalizim të vizave për qytetarët tanë dhe nevojën për bashkërendim të hapave për t’u përballur me pandeminë COVID-19”, ka shkruar Thaçi në një postim në Facebook.
Ndërkohë nga zyra për media e presidencës kanë njoftuar se Hashim Thaçi do të mbajë edhe një konferencë për media sonte në orën 19:00 ku do të flas rreth diskutimeve në Samitin e Zagrebit.