Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë, teksa ka falënderuar administratën e presidentit Trump për përpjekjet e vazhdueshme për finalizimin e kësaj marrëveshje historike.
Thaçi ka thënë se kjo ishte njëri ndër hapat diplomatike më serioze të ShBA-së në dy dekadat e fundit për Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa shtoi se finalizimi i kësaj marrëveshje i dha fund pretendimeve për ndarje dhe për konspiracione të ndryshme.
“Ndihem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët rreth dy vjet me administratën e Presidentit Trump, me përkushtimin personal të ambasadorit Grenell, të premten e kaluar arritëm që në Shtëpinë e Bardhë të formalizohen këto përpjekje. Kjo ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e ShBA-së në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtij procesi jo të lehtë, në fakt shumë të vështirë hasem në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizimin e kësaj marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë të gjitha këto u treguan të rrejshme, të paqëndrueshme dhe paragjykuese”, tha ai.
Thaçi ka thënë se sikur skena politike kosovare të ishte unike kjo marrëveshje do të ndodhte dy-tri vite më parë, duke shtuar se të premten e kaluar u vërtetua se në Shtëpinë e Bardhë nuk pati thika, harta e as ndarje të Kosovës, por fuqizim ndërkombëtar të shtetit tonë.
Ai ka thënë se ata që pretenduan këto gjëra, duhet t’i kërkojnë falje popullit kosovar, por edhe kombit në përgjithësi.