Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takim kanë diskutuar për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë që do të nënkuptonte njohjen reciproke.
Thaçi tha se BE-ja duhet hedhur në tavolinën e bisedimeve marrëveshjen për njohje reciproke.
“Përfundova një takim me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak. Mund të konkludoj se takimi në përgjithësi ka qenë një takim korrekt konstruktiv, një bisedë e hapur dhe miqësore në drejtimin e gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe me mundësinë që Kosova të anëtarësohet në OKB. Unë vazhdoj të besoj fuqishëm që e ardhmja e Kosovës është të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Gjithashtu, besoj fuqishëm që ka ardhur momenti që BE-ja të hedhë në tavolinë marrëveshjen për njohjen reciproke dhe jo të vazhdojë me dialog teknik”, tha ai.
Kreu i shtetit tha, po ashtu, se BE-ja duhet të lëvizë sa më shpejt në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“BE-ja duhet të lëvizë sa më shpejt në çështjen e liberalizimit të vizave, sepse janë vonuar dhe po ndodh padrejtësisht ndaj qytetarëve të Kosovës. Vetëm njohja reciproke mund të jetë mundësia e vetme që garanton stabilitetin në rajon dhe fqinjësinë mes dy shteteve”, tha Thaçi para mediave.