Thaçi: Rreshtimi ynë pranë shtetit amerikan ka prodhuar rezultatet më të mëdha politike

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke e kujtuar 288-vjetorin e lindjes së George Washingtonit, ka theksuar se ky personalitet historik ka tejkaluar përmasat amerikane dhe është bërë një referencë fuqiplotë e popujve liridashës.

“Siç ka dëshmuar historia, rreshtimi ynë pranë popullit dhe shtetit amerikan i ka prodhuar rezultatet më të mëdha politike dhe historike për Kosovën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Postimi i plotë i Thaçit:

288 vjet më parë ka lindur George Washington, patrioti dhe drejtuesi i luftës për pavarësi, burrështetasi dhe presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Figurës së tij si një prej themeluesve të SHBA-së dhe si president unifikues më të drejtë i është dhënë epiteti i pashmangshëm si “i pari i luftës, i pari i paqes dhe i pari në zemrat e qytetarëve amerikanë”. Ky personalitet historik ka tejkaluar përmasat amerikane dhe është bërë një referencë fuqiplotë e popujve liridashës.

Jemi mirënjohës për rrugëtimin tonë historik drejt lirisë dhe pavarësisë nën mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lidhjet tona me SHBA-në janë shumë më të thella dhe tejkalojnë raportin e thjeshtë politik e institucional mes dy vendeve. Ato janë lidhje shpirtërore e historike të një raporti besimi dhe vlerësimi reciprok, që unifikohet nën parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të qytetarëve.

Siç ka dëshmuar historia, rreshtimi ynë pranë popullit dhe shtetit amerikan i ka prodhuar rezultatet më të mëdha politike dhe historike për Kosovën.

E kemi obligim që këtë lidhje ta forcojmë edhe më shumë dhe të rrugëtojmë bashkërisht në projeksionet e reja që na presin.

I ftoj qytetarët dhe institucionet e Kosovës të jenë të hapura dhe t’i mirëpresin këshillat dhe kërkesat e SHBA-së, sepse kjo miqësi është fat dhe bekim i madh për ne. HTH

Share This Article