Presidenti Hashim Thaçi apeloi edhe njeherë që të dëgjohen këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tij, kjo është e vetmja alternativë për vendin me popullin më pro-amerikan.
Nga Prizreni ku vizitoi qendrën “Abi Çarshia”, presidenti theksoi se Kosova është në anën e drejtë të historisë në orientimin e saj përkrah SHBA-ve, prandaj çdo mosdëgjim apo kryeneçësi është ana e kundërt dhe e gabuar e historisë.
Duke folur për raportet mes SHBA-ve dhe Kosovës, Thaçi u ndal edhe tek letra e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe ajo e ish-zv.presidentit, Joseph Biden, drejtuar tij, që për të dëshmojnë se SHBA është unike në mbështetjen e Kosovës.
Ai shtoi se SHBA-të dhe miqtë e tjerë të Kosovës mbështesin dialogun me Serbinë dhe duan arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Thaçi deklaroi se me këtë aspiratë i tejkalon kompetencat kushtetuese, por do të punojë që ta ndryshojë atë me partitë politike dhe me një debat me shoqërinë civile e qytetarët e vendit. Sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës nuk është fundi i botës, pasi këtë e ka bërë 4 herë gjatë kohës sa ka qenë kryeministër.