Thaçi: Zyra e Presidentit dhe ajo e Kuvendit po koordinohen rreth dekretit 30-ditësh

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me Drejtorin e Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike, Naser Ramadanin ka thënë se prej tij është njoftuar për së afërmi me gjendjen reale rreth koronavirusit.

“Ishte konstatim i përbashkët se menaxhimin më të mirë të tërë situatës mund ta bëjnë qytetari, familja, disciplina, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke ia lehtësuar njëri-tjetrit”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Prandaj, duke pasur parasysh ato që kemi diskutuar mbrëmë, takimet që kanë zhvilluar me komunitetet e ndryshme, si dhe tash pas konsultave që dëgjova edhe prej opinioneve të Drejtorit të Institutit, dua të theksoj se tanimë Zyra Ligjore e Presidentit dhe Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës janë duke u koordinuar për finalizimin e procesit të dekretit të Presidentit të Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme institucionale për parandalimin dhe tejkalimin e kësaj gjendjeje”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se do të jepen detaje rreth përmbajtjes së dekretit që përfshin gjendje të jashtëzakonshme në tërë territorin e Kosovës, për një periudhë 30-ditore me mundësi vazhdimi, apo zvogëlimit të ditëve.

“E tërë kjo ndodhë për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19”, ka shtuar ai.

Thaçi po ashtu ka përsëritur se urdhërohet mobilizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti gjatë konferencës së shtypit po ashtu ka përgëzuar të gjithë të angazhuarit në përpjekjet e jashtëzakonshme, të punëtorëve të shëndetësisë.

Share This Article