Gazeta e njohur britanike, The Guardian, ka shkruar se sipas dokumenteve të deklasifikuara, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, e kishte shtyrë qeverinë boshnjake të udhëhequr nga myslimanët që të bënte koncesione territoriale në vitin 1995.
Kur Srebrenica ra në sulmin e separatistëve serb 25 vjet më parë, qeveria boshnjake e udhëhequr nga myslimanët ishte duke u lëkundur nga vrasjet masive që po vazhdonin në enklavën e vogël. Për këtë arsye, zyrtarët boshnjakë ishin të shokuar kur reagimi i menjëhershëm i Uashingtonit ishte për t’i bindur ata që të bëjnë koncesione të reja – përfshirë pranimin e ndarjes së mundshme të vendit të tyre në bazë të vijave etnike.
Dokumentet e deklasifikuara të asaj periudhe dhe intervistat me disa nga protagonistët e pasqyrojnë vendosmërinë e Bill Clintonit dhe ekipit të tij për politikë të jashtme për të gjetur një zgjidhje për konfliktin trevjeçar me çdo kusht para fushatës zgjedhore, edhe nëse kjo do të nënkuptonte që liderët serbë të Bosnjës të shpërbleheshin për politikën e tyre të spastrimit etnik duke ua ofruar objektivin – ndarjen.
Më shumë se 8,000 burra dhe djem u vranë në Srebrenicë pasi u kapën nga forcat serbe, në atë që Kombet e Bashkuara e kishin shpallur si zonë të sigurt. Ky ishte gjenocidi i parë në Evropë që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, në biseda telefonike me liderët e huaj në kohën kur ekzekutimet masive po vazhdonin, Clinton vazhdimisht e kishte shprehur zhgënjimin e tij me ushtrinë boshnjake për shkak të dështimit për ta mbrojtur Srebrenicën. Dhe në javën e njëjtë kur Srebrenica u dorëzua, këshilltari për Siguri Kombëtare i asaj kohe, Anthony Lake, kishte bërë shtytje drejt një “strategjie për fundin e lojës” që ta nxirrte pa probleme ShBA-në nga katastrofa e Bosnjës.
Kjo strategji, e nisur nga ekipi i këshilltarit Lake disa javë para sulmit në Srebrenicë, ishte që të bëhen përpjekje për t’u shtyrë përpara një marrëveshje e paqes, e bazuar në një ndarje pothuajse të barabartë të territorit. Nëse kjo do të dështonte, plani ishte që të tërhiqej forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara, të largohej embargoja e armëve ndaj Bosnjës dhe t’i ofrohej Federatës Myslimano-kroate ca përkrahje fillestare me sulme ajrore derisa të ishte mjaftueshëm e fuqishme për t’i luftuar serbët vetë.
Sidoqoftë, çmimi i kësaj përkrahjeje ishte i lartë. Boshnjakët potencialisht do të ishin të detyruar për kapërdijnë koncesione të tjera, përfshirë dorëzimin e integritetit territorial për të cilin kishin luftuar që ta mbronin. Sipas aneksit të parë të strategjisë së fundit të lojës, të titulluar “Plani për marrëveshje diplomatike më 1995”, pjesë e një grupi të dokumenteve të deklasifikuara nga biblioteka presidenciale e Clintonit, hapi i parë ishin bisedat “zemër me zemër” me Boshnjakët për t’i bindur ata se pas rezultatit në Srebrenicë, “ata duhet të mendojnë në mënyrë më realiste për ta formuar një zgjidhje”.
Federata do të mund të ishte e detyruar që të pranonte marrëveshje me më pak se gjysmën e territorit dhe Shtetet e Bashkuara do ta shqyrtonin mundësinë e trysnisë ndaj boshnjakëve për t’u pajtuar që serbët të organizojnë referendum për ndarje pas dy-tre vjetësh, thuhet në këtë aneks.
“Nëse boshnjakët nuk mund ta bindin popullatën serbe se e ardhmja më e mirë e saj gjendet në riintegrim, nuk ka kuptim bllokimi i ndarjes paqësore të Unionit sipas linjave të modelit çekosllovak”, thuhet më tej në propozim.