Shqipëria është destinacioni i ri i pushimeve për shumë udhëtarë evropianë. Këtë e konfirmojnë jo vetëm mediat e huaja, por edhe ekspertët në fushën e turizmit.
Media britanike “The Independent” citon Sebastian Ebel, i cili është shefi ekzekutiv i Tui që është kompania më e madhe e pushimeve në Evropë. Ai thotë se 10 vite më parë, kur iu bashkua bordit ekzekutiv e kishte propozuar mundësinë për të investuar në Shqipëri, por e kishte të pamundur për t’i bindur drejtuesit e kompanisë. Ai thotë se tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe se aktualisht Shqipëria ofron mundësi të mëdha.
“Unë jam një adhurues i Shqipërisë dhe mendoj se duhet dhe mund të bëjmë më shumë. Është në axhendën tonë. Mendoj se perspektiva është e madhe dhe nuk do të habitesha nëse fillojmë një program të rëndësishëm atje”, thotë ai për median britanike.
Aktualisht, i vetmi aktivitet i kësaj kompanie në Shqipëri është fluturimi dy herë në javë nga dega belge e kompanisë nga Brukseli në kryeqytet, Tiranë.
Në artikullin e “The Indipendent” theksohet se nga të gjitha vendet e Evropës Lindore, Shqipëria duroi periudhën më të gjatë të regjimit komunist dhe në atë kohë nuk u lejua asnjë vizitor.
Tashmë pas dekadave të gjata të tranzicionit politik duket se e ardhmja e turizmit është në rrugën e duhur, ndërsa vetë qeveria shqiptare synon turizmin elitar.