Nga: Harrison E. Salisbury / The New York Times, 9 shtator 1957
Një lyrje këpucësh me shkëlqim kushton një dollarë në Tiranë, por kjo është gjëja e fundit që shqetëson shqiptarët. Mjaft prej tyre nuk i lyejnë fare këpucët. Në të vërtetë, pjesa më e madhe ecin zbathur dhe një pjesë tjetër veshin nallane prej druri. Industrializimi i shekullit XX vetëm sa e ka cekur këtë vend të rrethuar me male, që dikur ishte Mbretëria e Ilirisë dhe tani mban emrin krenar Republika Popullore e Shqipërisë – Vendi i Shqiponjave.
Se sa pak e ka prekur industrializimi vendin, e kupton menjëherë, kur shoferi i makinës “Varshava” (një model polak i versionit sovjetik “Pobeda”), pasi kemi bërë tetë orë ngjitje – zbritje nëpër male, e ndalon makinën me shpejtësi buzë një humnere. Udhëtimi me ulje-ngjitje në rrugët e malit, ka nxjerrë jashtë përdorimit sistemin hidraulik të frenave. “Do të përdor ujë derisa të gjej pak verë”, thotë shoferi, duke vënë një maskë filozofi.
Ai i hedh ujë deri në fshatin tjetër, ku mund të blejë një shishe me verë të kuqe. Ai thotë se vera është mjaft e mirë për frenat, për shkak të alkoolit, dhe shton se rakia është shumë e fortë. Edhe pse në kryqëzimet kryesore në Tiranë, e madje edhe në qytetet e vogla qëndrojnë policë të veshur me uniforma simpatike, ka vetëm pak makina në rrugë.
Ndërsa udhëton për në Elbasan apo ndanë fermave, rrugës për në Liqenin e Ohrit, anash sheh më shumë gomerë të ngarkuar sesa “Xhip”-a, dhe kopetë me dele janë po aq të zakonta sa karvanët e mëdhenj me “Skoda” çeke apo kamionë sovjetikë të tipit “Zis” që bëjnë zigzage nëpër kthesat e rrugëve malore të ngarkuara me krom apo me furnizime të çfarëdo lloji.
Më të përhershmit janë këmbësorët. Gra me kana uji prej balte në ngjyrë ndryshku, të cilat i mbajnë me kujdes mbi kokë; vajza me fund të kuq të qëndisur dhe mbulesë të zbukuruar prej leshi, burra me breza dhe gra me shallvare, barinj me guna të ashpra dhe fëmijë të veshur me lecka.
Vendasit transportojnë gjithçka me gomar. Ata përdorin njëlloj kallamishteje, e cila është shumë funksionale: në muret e shtëpive, ndarjet e një dhome, shtrojë për dyshemenë, mbulesa për të fjetur. Ka karroca të vogla dore, po aq të shkurtra sa djemtë me lëkurë të zezë që i shtyjnë dhe karro të mëdha me katër rrota, që lëvizin të ngarkuara përplot dhe të veshura me dru në formë gardhi.
Skena tradicionale
Shqipëria nuk ka ndryshuar shumë, me atë që ishte para se të vinte komunizmi: me burra që mbajnë në kokë plisa të bardhë, gratë të veshura në të zeza, në pjesën më të madhe dhe pak gra myslimane me ferexhe. Ndërsa ecin ose kalërojnë, gratë kanë gjithmonë një foshnjë për të cilën kujdesen, e ushqejnë apo e përkëdhelin.
Burrat mbajnë shkopinj të gjatë (kërrabë) me të cilën nxisin delet, shpesh të binte në sy ndonjë pushkë e varur krahaqafë, në shpinën e ndonjërit prej tyre. Rrugët, pjesa më e madhe janë po ato që përdornin dikur romakët dhe ilirët, pak prej tyre u rregulluan gjatë pushtimit italian në Luftën e Dytë Botërore dhe nga këto kanë mbetur vendroje gri nëpër kthesa, prej nga ruheshin malet.
Ka baraka për ushtarë të ndërtuara në shpate malesh apo buzë fushave dhe rrugës, afër Liqenit të Ohrit. S‘dihet se përse, kur lufta ishte në kulmin e saj, njësitë ushtarake viheshin për të hapur shtigje në mal. Prej larg dëgjohen zhurmat e një batareje të artilerisë. Manovra? Ndoshta.
Delet dhe barinjtë duken të pa shqetësuara prej tyre, ndoshta janë mësuar me këtë zhurmë. Për rreth një milje buzë lumit, në një shteg në mal, një divizion i tërë është duke u larë dhe larë rrobat, në ujin e ftohtë e të freskët. Pothuajse gjithë mali është mbuluar me këmisha, të cilat thahen në diellin e pasdites së vonë.
Buzë rrugës, shqiptarët kanë vënë duajt e thatë e të dobët të grurit, ndërsa barinjtë kullosin tufat, që tremben sa herë kalon ndonjë kamion, “Xhip” apo makinë zyrtare, e në të rrallë edhe ndonjë me pasagjerë. Nuk ka kampe pune për të burgosur, rrugëve të Shqipërisë.
Unë pashë një burg të madh, në të dalë të Vlorës, me një hajat të gjerë para, ku gratë prisnin të takonin burrat e tyre apo t‘u dërgonin ushqim përmes rojeve. Pashë një numër të madh zonash të rrethuara me tela me gjemba, që mund të ishin njëkohësisht grumbullime të ushtrisë ose kampe përqendrimi.
Rrugët po përmirësohen
Ndërtesa të mëdha janë bërë gati për skuadrat vullnetare të ndërtimit të rrugëve, ku mund të shihen grupe të burgosurish që thyejnë gurë. Disa shqiptarë kanë biçikleta, por nuk ka makina private. Një i ri tha: “Përse na duhen? Ku mund të shkonim me to? Kushtet tona nuk na lejojnë gjëra të tilla”.
Padyshim që ai ka të drejtë. Rrugët e këqija janë të mjaftueshme, për ta kthyer një makinë amerikane në një grumbull hekurishtesh, brenda pak javësh. Në Tiranë ka disa makina të prodhuara në ShBA-ës që u përkasin diplomatëve.
Këtu, përveç francezëve, jugosllavëve dhe italianëve, pjesa tjetër e diplomatëve i përkasin Bllokut Lindor sovjetik, nga Evropa ose Azia. Krenaria e kryeqytetit janë dy “Vollga” të reja, prodhime të kombinatit të makinave “Gorki” në BRSS.
Të kombinuara me një ngjyrë të kaftë karameleje dhe një portokalli sintetike, ato rrëshqasin përgjatë bulevardit “Stalin” drejt Këshillit të Ministrave. Shqipëria ka edhe sistem telegrafik, edhe rrjet telefonik. Vetëm në tavolinën e kryeministrit Mehmet Shehu, ka katër telefona. Por, Numëratori i Tiranës ka vetëm 90 faqe, me një mesatare prej 12 numrash për faqe.
Në qytet pihet birrë
Në mbrëmje në Tiranë apo edhe në qytetin port të Durrësit, njerëzia mund të mblidhen në kafet e quajtur “Vollga” dhe të kthejnë ndonjë birrë. Edhe pse me vreshtat që ka Shqipëria duhej të ishte një vend që prodhon verë me shumicë, birra është pija standarde në qytete. Ka aq shumë rusë në Shqipëri dhe ndikimi i tyre është aq i madh, saqë edhe pasta e dhëmbëve shqiptare ka të njëjtën aromë me atë të Moskës.
Askush nuk mund të thotë se sa rusë ka në vend. Me siguri duhet të jenë disa mijëra. Ka këshilltarë, ekspertë, delegatë tregtie, specialistë sigurie, ushtarakë dhe inxhinierë. Një pjesë e madhe e tyre popullojnë katet e sipërme të hotelit të ndërtuar nga italianët në bulevardin “Stalin”. Ata bëjnë plazh në vendet me rërë të bardhë të Durrësit dhe pinë në kafene të hapura.
Një inxhinier sovjetik që kishte kaluar tre vjet në Shtetet e Bashkuara, na buzëqesh thuajse miqësisht, ndërsa kthen me fund aperitivin e tij me raki. “Çfarë njerëzish”, thotë ai. “Ju nuk mund ta imagjinoni se si janë. Çfarë vendi”. Ai tund kokën në mënyrë ironike dhe të dëshpëruar dhe fillon të flasë për “Broduein”, “Time-Square”-in, ndërtesat e vogla në Nju-Jork, turmat me njerëz në rrugën “Forty-Second Street”, “të ngjeshura si mur”.
Nuk ka asnjë dyshim për vendin që ai do preferonte. Rrugët e vështira për makina. Gomerët vazhdojnë të jenë transportuesit kryesorë në male. Këshilltarët rusë të plotfuqishëm dhe përditshmëria e shqiptarëve “krenarë” për klasën punëtore, por pa para për të lyer këpucët. Më poshtë, pjesa e tretë e një cikli shkrimesh nga Shqipëria.
Klasa mirënjohëse industriale
Se çfarë mendojnë shqiptarët për veten e tyre, është e vështirë të merret vesh? Edhe pas një duzine bisedash, gjithmonë përmes një përkthyesi të Ministrisë së Jashtme, është e vështirë të jesh i sigurt. Sigurisht, klasa proletare e vendit të vogël, ndjehet mirënjohëse për forcat që e nxorën në jetë, Partinë Komuniste Shqiptare dhe Bashkimin Sovjetik.
Sa për fshatarët, ata nuk kanë ndonjë gjë për t‘u thënë të huajve. Ata na japin ca shenja të pakuptueshme të lumturisë dhe mirëqenies. Struktura e tyre fizike, duket sikur shpreh sëmundje kronike të dorëzimit.
Ndoshta përshtypjen më të mirë mundëm t‘ia merrnim një shqiptari që fliste anglisht, që kishte jetuar dhe punuar në ShBA për 15 vjet, përpara luftës. “Kam punuar në Kliverland”, thotë. “Më 1939 u ktheva për të parë njerëzit e mi. Lufta më zuri këtu dhe nuk munda të kthehesha”.
Unë i thashë: “Nuk ngjan shumë me Kliverlandin këtu”. “Vëlla”, tha, duke kuptuar që ishte dakord shqiptari, “ti as mund ta imagjinosh diferencën”. “Si ia del të qëndrosh”? – e pyes. Ai mbledh supet. “Thjesht kam harruar gjithçka. I kam thënë vetes; unë nuk kam qenë kurrë në Amerikë. Është e vetmja mënyrë për të mbijetuar”.
Do të ishte e thjeshtë të shkruaje, dhe aspak e padrejtë, që Shqipëria është një fragment i Rusisë staliniste që në mënyrë anakronike ia ka dalë të mbijetojë edhe në botën post-staliniste. Por, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Një udhëtar në këtë vend mysliman në ndërtim buzë Adriatikut, menjëherë zbulon se Shqipëria është një vend që Perëndimi e ka harruar.
E varfër deri në hidhërim, e plagosur rëndë nga Lufta e Dytë Botërore, e shkatërruar nga armiqësitë e “Luftës së Ftohtë”, Shqipëria është duke u mbytur dhe në një gjendje të tillë, saqë banorët e saj, në historinë e të cilëve ka vetëm tragjedi, të dëshpëruar nga kjo situatë e tmerrshme, janë të gatshëm të provojnë gjithçka.
Gjendja e vendit sot nuk është aspak e kënaqshme. Standardi i të jetuarit është më i ulëti në Evropë ose shumë afër më të ulëtit. Vetëm në zona të thella në Siberi ose Azinë Qendrore, mund të shohësh kaq shumë njerëz të parruar e të paveshur. Por, duhet të shtohet se përmirësimi i gjendjes kulturore dhe ekonomike është përmirësuar nga regjimi komunist, i cili është ndihmuar nga fakti që Perëndimi ka refuzuar në mënyrë brutale të ketë të bëjë me këtë vend.
Vizita e disa korrespondentëve dhe e një grupi të vogël turistësh nga Britania dhe Franca, duket se tregon një domosdoshmëri, qoftë edhe të vogël, për të përmirësuar marrëdhëniet armiqësore dhe izoluese me Perëndimin. Kryeministri Mehmet Shehu insiston se Shqipëria do që t‘i normalizojë marrëdhëniet me Perëndimin. Ka arsye të mjaftueshme për të besuar që Moska nuk do ta lejonte këtë normalizim, por të paktën ky është një hap para dhe një ndryshim i madh nga situata e dy viteve më parë.
Nëse Shqipëria ndodhet në këtë gjendje të keqe, një pjesë e madhe e fajit është e vetë vendit dhe e udhëheqësve të tij, por po ashtu është një e vërtetë të cilën e dinë shumë pak shqiptarë, se këtu ka ndikuar edhe qëndrimi në distancë, neglizhenca dhe armiqësia e Perëndimit ndaj një vendi të vogël me njerëz krenarë.
Përshtypja e parë
Përshtypja e parë kur zbrita në Aeroportin e Tiranës, ishte se kisha zbritur diku në Bashkimin Sovjetik, ndoshta diku mes maleve të Kaukazit. Gjëja e parë që pashë ishin një grusht ushtarësh, të veshur me diçka që dukej si uniformë e pisët dhe e brejtur sovjetike. Të gjithë këta mbanin pushkë të gjata me bajoneta të mbërthyera.
Gjithandej dukej sikur kishte oficerë sovjetikë, madje edhe policë sovjetikë në uniformat e tyre karakteristike blu dhe me shiritin e kuq në këmishët verore. Polici e drejtonte trafikun e paqenë, duke bërë shenja me duar të ngjashme me ato të kolegëve të tij në Moskë dhe qëndronte në këmbë në mes të një kryqi bardhë e zi, të njëjtë me atë të Moskës. Të shkruarat në dhomën e pritjes në aeroport, ishin në rusisht dhe shqip.
Vetëm më vonë na shpjeguan se ushtarët ishin shqiptarë e oficerët po ashtu, por vendi prej vitesh kishte përshtatur stilin e uniformave sovjetike. Në bllokun e shënimeve shkrova: “Gra që punojnë në rrugë dhe ushtarë gjithandej. Madje, as në Bashkimin Sovjetik, nuk kam parë kaq shumë ushtarë. Hoteli, një ndërtim shumë i bukur italian, ishte i mbajtur mirë në një bllok ndërtesash përballë një bulevardi të gjerë, të pagëzuar me emrin e Stalinit.
Dy blloqe më tutje ndodhet Komiteti Qendror i Partisë, i ruajtur nga dy gardistë të armatosur me automatikë, gati për të qëlluar. Bëmë një shëtitje të vogël. Disa ndërtesa interesante, një stadium i ri e i mirë, makina llogaritëse në dyqanet e ushqimit. Ushtarë, ushtarë. Një hotel plot me Rusë. Kamerierë që flasin rusisht.
Përshtypje të tjera
Kjo përshtypje, e një preokupimi të madh ushtarak dhe një ndikimi të Bashkimit Sovjetik në gjithçka, nuk na u fshi gjatë gjithë javës që qëndruam, e cila përfshinte udhëtime në qytetet kryesore dhe qëndrimin në vendet e pushimit. Sidoqoftë gjatë qëndrimit formuam edhe përshtypje të tjera.
Shqipëria vuajti 500 vjet nën pushtimin dhe dhunën turke, përpara se ajo t‘i rrëzonte ata dhe të shpallte pavarësinë më 1912. Përveç 25 vjetëve të rezistencës në shekullin XV, të udhëhequra nga Heroi i tyre Kombëtar, Skënderbeu, Shqipëria ka njohur vetëm varfëri, shtypje dhe përdhunë.
Sundimi i Mbretit Zog që u vendos para luftës, mund të quhej rilindës, por ai u pasua nga pushtimi italian dhe pastaj ai gjerman dhe në fund udhëheqja prej komandës së luftëtarëve guerilas. Regjimi komunist i pasluftës u vendos vetëm pasi u katapultua nga BRSS-ja dhe u ngrit më këmbë gjatë grindjes mes BRSS-së dhe Jugosllavisë.
Grindja e dy fuqive i ndau komunistët shqiptarë. Ajo solli masakrimin e liderëve pro-jugosllavë dhe për rreth 10 vjet vendi ishte në gjendje alarmi, herë nga frika e ndonjë sulmi nga jashtë, herë nga ajo e rebelimit të brendshëm.
Për këtë nuk duhet të habitesh shumë, që vendi duket si një kamp ushtarak dhe që ka bërë shumë pak për të kuruar plagët e tij sociale e ekonomike. Kreu i Partisë Komuniste Shqiptare, sekretari Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu, janë të vetëdijshëm se ishte vetëm ndihma sovjetike, ajo që mbajti gjallë regjimin gjatë 9 viteve mjaft të vështira.
Adhurimi për Stalinin
Për shumë shqiptarë, Bashkim Sovjetik do të thotë vetëm Stalin. Këtu Stalini është njeriu më i nderuar, fjalët e tij janë shkruar në hidrocentralin afër Tiranës, në letra të kuqe në hollin e Muzeut kombëtar.
Emri i tij i është vënë veprës më të madhe industriale, një kombinati tekstilesh, ndërsa statuja e tij mbizotëron sheshin kryesorë të Tiranës dhe bulevardin e qytetit. Në malet me fshatarë, në zyrat e administratorëve të fermave dhe në qytete buzë Adriatikut, portretit dhe bustit të Stalinit i është dhënë një vend nderi.
Asnjë fjalë kundër Stalinit nuk është thënë në Shqipëri. Ata janë krenarë që i pikturojnë si “stalinistë”. Po t’u thuash se figura e tij po rrëzohet, ata përgjigjen vetëm me sy të zemëruar dhe një ngritje supesh. Zyrtarët i kryejnë punët e tyre me të njëjtin sistem burokratik, policët punojnë me të njëjtat metoda dhe dyshimi e ksenofobia janë ato të ditëve të këqija të diktatorit sovjetik.
Data e vdekjes së Stalinit më 5 mars 1953, duket se nuk është shënuar në kalendarin shqiptar. Shqipëria duket si një koloni e Perandorisë Romake, e cila ende nuk e ka kuptuar se barbarët e kanë shkatërruar Romën. Të shkëputur prej kohësh nga Perëndimi dhe të mbajtur larg prej këtij të fundit nga taktikat e “luftës së ftohtë”, të panjohur me konceptet perëndimore dhe mendimet perëndimore, shqiptarët kanë sy dhe veshë vetëm për Moskën.
Çdo shqiptarë beson se vendi i tij është i rrethuar nga armiq, të cilët Perëndimi i furnizon me armë dhe që janë gati ta sulmojnë dhe mbrojtja e vetme është ajo e një ushtrie të fortë dhe e përkrahjes nga BRSS-së.
Me të njëjtin dyshim shihen dhe mundësitë për armiq të brendshëm. Vetëm në kohë lufte në rrugët normale të një qyteti mund të shohësh kaq shumë ushtarë dhe dukshëm frika e një revolte të brendshme është arsye se pse ata shpeshtohen sa herë nata zgjatet.
Shqiptarët fajësojnë ShBA-në
Shumë prej mallkimeve për shqetësimet e vogla të ditës të një shqiptari të thjeshtë, shkojnë drejt ShBA-së. Shqiptari jeton në një botë që i duket e mbipopulluar nga armiq, dhe më i madhi i këtyre janë Shtetet e Bashkuara. Tani, zyrtarët e lartë e kanë drejtuar propagandën dhe urrejtja kryesore i shkon Jugosllavisë, e cila fajësohet për të gjitha luftërat guerile në Veri të vendit, në kufirin midis dy shteteve.
Po ashtu, Greqia dhe Italia, në propagandën shqiptare prej vitesh njihen vetëm si aleate të Jugosllavisë, në përpjekjen për të rrëzuar regjimin në Shqipëri. Me shumë mundësi, në këtë vend, gjashtë nga shtatë burra të aftë janë të veshur më uniformë. Dhe, kjo e ka penguar vendin të zhvillohet ekonomikisht dhe të kurojë plagët e trashëguara që prej kohës së Mbretit Zog.
Standardi i jetës është rritur, por regjimi është detyruar të vihet në varësi të plotë të Bashkimit Sovjetik, për të mbijetuar. Nëse udhëheqja sovjetike e ka ndihmuar Shqipërinë, kjo është diçka për tu diskutuar. Kur komunistët morë në dorë vendin, ai ishte 99 për qind agrar. Lindjet ishin të larta, por po ashtu ishin edhe vdekjet gjatë lindjes, ndërsa vdekja nga uria ishte e zakontë!
Kishte vetëm pak miniera të dhëna me koncesion. Mbreti Zog ishte pronari më i madh i tokave dhe eksportuesi kryesorë i të mirave. Nëse sovjetikët e shtynë vendin drejt industrializimit dhe kooperativizmit, një ekonomi e pavarur fshatare do ta kishte ndihmuar më shumë Shqipërinë të zhvillohej ekonomikisht dhe shqiptarët do të jetonin më mirë.
Por, që kushtet ekstreme kanë ndryshuar, kjo mund të demonstrohet nga dyfishimi i numrit të popullsisë, që kryesisht ka ardhur nga ulja e numrit të vdekjeve …! Ndërsa në vend po bëhen fushata të mëdha mjekësore për të luftuar sëmundjet ngjitëse, shpërndahen postera, përdoren ilaçe të forta dhe edukohen njerëzit për pastërtinë …!
Urrejtjen më të madhe shqiptarët ia kanë rezervuar “tradhtarëve” të brendshëm. Ata akuzojnë “borgjezët” e vendit që ndryshe nga borgjezia në vendet e tjera, nuk e ndihmoi revolucionin duke ndihmuar industrializimin …! “Borgjezët në vendet e tjera”, thotë një ish-luftëtar partizan, tani drejtues në Muzeun Kombëtar, “ndërtuan industri dhe ndihmuan revolucionin. Borgjezët shqiptarë, nuk bënë asgjë të tillë”!
Muzeu i shtetit është ndërtuar mbi godinën që dikur shërbente si zyrë për xhandarmërinë italiane. Në këtë vend shumë komunistë janë torturuar deri në vdekje. Instrumente dhe fotografi të ruajtura mirë tregojnë deri në detaje dhunën. Kur flet drejtori për dështimin e borgjezisë për të siguruar industri, sytë i shkojnë në vendet ku janë ekspozuar instrumentet e torturës. Në këtë moment nuk është e vështirë të lexosh mendimet e tij.
Të gjithë të “Realizmit Socialist”
Çfarëdo sugjerimi për pak qejf dhe ekzaltim, tallet nga rinia shqiptare. Mund të ketë gjëra të tilla në Poloni, por jo në Shqipëri. Kur citova autorin sovjetik Vladimir Dudintsev dhe një roman të tij me shumë kundërshti, të titulluar Jo vetëm me bukë, një grup shkrimtarësh shqiptarë më panë me armiqësi dhe më përqeshën. “Ne nuk kemi Dudintsevs këtu”, tha njëri prej tyre, duke i mëshuar fjalëve.
“Nuk kemi kundërshti. Jemi të gjithë të Realizmit Socialist”. Shpesh të rinjtë që kishin studiuar në Moskë dhe punonin në ferma, në Cërrik, Elbasan dhe Vlorë, e braktisnin pamjen armiqësore kur filloja t‘u flisja në rusisht. Askush nuk të përshëndeste këtu, askund nuk gjeje mikpritje të ngrohtë si ajo që merrje në Bashkimin Sovjetik. Nuk kishte darka bujare, dreka apo dolli miqësie, as një shi pyetjesh për Nju-Jorkun, Holivudin apo të paktën për gjendjen e të zinjve.
I vetmi që pyeti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pyeti për punëtorët. Kur atij burri i thashë se në ShBA punëtorët po përjetojnë një përparim në mirëqenie, që ia vlen për t‘u shënuar, ai përplasi buzët dhe nuk foli më. Nga ana tjetër, i riu që na shërbente si guidë dhe vinte nga Ministria e Jashtme, pati mjaft raste vështirësi për të bindur drejtuesit e fabrikave të hapnin dyert për një korrespondent nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shpeshherë ata ishin të pasjellshëm dhe dyshues dhe fillonin të bënin telefonata në Komitetin Qendrorë në Tiranë. Në mjaft fabrika që më parë ishin treguar në filmat dokumentarë shqiptarë, nuk na lejuan të bënim foto, edhe pse udhëheqësi i guidës insistonte duke thënë se diçka e tillë ishte lejuar nga Ministria e Jashtme.
Kontrolli i një raporti për revoltë
Për mua pjesa më e madhe e kësaj ndjeshmërie, ishte e ngjashme me reagimin e një molusku kur guaska hapet për herë të parë. Këtu mund të citoj edhe një incident tjetër. Një agjenci lajmesh nga Shtetet e Bashkuara i kishte telegrafuar Ministrisë së Jashtme Shqiptare, për të verifikuar lajmin e publikuar në një të përditshme greke, se në Elbasan kishte pasur një revoltë. Mua më thërritën dhe më kërkuan që të verifikoja vetë lajmin, duke shkuar në Elbasan dhe të pyesja njerëzit në rrugë.
Ata vetë ndaluan një burrë dhe e pyetën. Reagimi i tij ishte më shumë se habi. Ai tha se gjatë katër vjetëve të fundit që jetonte aty nuk kishte pasur asnjë trazirë. Vetë kryeministri Mehmet Shehu u nxeh shumë me këtë raport të errët, sa u tall me të gjatë një fjalimi publik. Këtë verë një grusht turistësh britanikë vizitoi vendin. Ata ia dolën të fotografonin një pjesë të mirë aspekteve të jetës së përditshme shqiptare, por kjo zgjoi sërish një ndjejë të thellë fyerje.
Këto janë vetëm një pakicë e zemërimit dhe përshtypjeve të këqija të prodhuara nga qëndrimi i deritanishëm i Perëndimit ndaj Shqipërisë. Të rinjtë këtu s‘kanë mundësi tjetër vetëm se të mbajnë sytë nga Moska. Ata nuk kanë asnjë shteg të lirë për të shkuar në Nju-Jork, Londër apo Paris, edhe nëse një ide e tillë heretike arrin të hyjë në kokën e tyre.
Nëse mundësia e tanishme vlerësohet pozitivisht, nëse, duke mos marrë parasysh sjelljen e keqe të zyrtarëve shqiptarë dhe armiqësinë e tyre të lindur, hapet mundësia për një program marrëdhëniesh diplomatike, shkëmbimesh kulturore dhe shkëmbimesh tregtare, mund të arrihet një sukses i papritur.
Rinia shqiptare ashtu si të rinjtë në të gjithë botën, janë energjikë dhe të padurueshëm, impresionues dhe të freskët. Ata duan një jetë më të mirë, për vete dhe për vendin e tyre dhe deri tani vetëm Moska u ka hedhur thërrime të një drite drejt së ardhmes. /memorie.al/




