Astrologia më e famshme në Britani, Meg Mistikja, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.
Parashikimet e astrologes janë ndjekur nga miliona lexues të “The Sun” për 23 vjet. Meg, emri i vërtetë i së cilës është Margaret Lake ishte shtruar në spital që në muajin e shkuar për shkak të gripit.
Ajo vdiq në orën 03:45 të mëngjesit.
Agjenti i saj prej 34 vjetësh u shpreh se: “Pa diskutim, ajo ishte astrologia më e famshme në Britani. Askush nuk i përafrohej Meg në respektin që merrte. Ajo ndiqej nga miliona njerëz në këtë vend dhe në botë.
Ajo u bë pjesë e gjuhës angleze, nëse një politikani, personazh të njohur apo njeriu të zakonshëm i bëhej një pyetje e vështirë, përgjigjej: Kush mendon se jam, Meg Mistikja? Kjo tregon çfarë ndikimi kishte”.
Nuk mungoi as një koment nga gazetari Piers Morgan, i cili tha se “Meg ishte një zonjë misterioze që e donte me pasion punën e saj por rrallë shihej në publik. Isha redaktori i saj në ‘News of the World” për disa vite dhe ishte jashtëzakonisht profesioniste në gjithçka thoshte. Një mjeshte e artit të saj”.
Redaktorja e “The Sun” tha se tabloidi britanik ka humbur “një ikonë”.
Meg Mistikja u lind në Lancashire në 27 Korrik 1942 dhe fitoi famë si astrologe në 1994. Fillimisht shfaqej në një segment 45-sekondësh në një program lotarie ku parashikonte fakte për fituesin. Më vonë ajo mundi të kishte hapësirën e saj në “The Sun” ku shkruante vazhdimisht parashikimet e saj.