Një shtëpi e madhe me gjashtë dhoma gjumi dhe katër banja, e vendosur në Bulevardin 657 në New Jersey, tanimë është një nga shtëpitë më të njohura të Amerikës.
Seriali “The Watcher”, i shfaqur në Netflix më 13 tetor 2022, u bë i famshëm shumë shpejt, për shkak të historisë së vërtetë nga ku është frymëzuar.
Në serial, familja Brannock zhvendoset në shtëpinë e ëndrrave, por shumë shpejt ajo shndërrohet në një ferr të vërtetë. Letrat që i vijnë familjes nga dikush që e quan veten “The Watcher” (Vëzhguesi) janë vetëm fillimi i një ngjarje drithëruese.
Ngjarjet mbështeten në historinë e vërtetë të Derek dhe Maria Broaddus, të cilët blenë një shtëpi me gjashtë dhoma gjumi në Westfield, për 1.355.657 dollarë dhe shpenzuan rreth 100.000 dollarë për rinovime. Një ditë, Derek shkoi të kontrollonte postën dhe gjeti një letër drejtuar “Pronarit të Ri”.
“Gjyshi im e vëzhgonte shtëpinë në vitet 1920 dhe babai im në vitet 1960. Tani është radha ime. A e dini historinë e shtëpisë? A e dini se çfarë qëndron brenda mureve të Bulevardit 657? Pse jeni këtu?”
I ashtuquajturi “The Watcher” (Vëzhguesi) vazhdoi të dërgonte letra gjithnjë e më armiqësore dhe kërcënuese, disa prej tyre drejtuar fëmijëve të familjes.
“A duhet ta mbushësh shtëpinë me gjak? Më mirë për mua. Ishte shtëpia juaj e vjetër shumë e vogël për familjen tuaj? Pse duhet të më sillje fëmijët e tu? Sapo t’ua mësoj emrat, do t’i thërras dhe do t’i marr.“
Familja kontaktoi policinë dhe madje punësoi një detektiv privat për të zbuluar identitetin e shkruesit. Tetë muaj pas blerjes së shtëpisë, familja e nxori atë në shitje. Pavarësisht uljes së çmimit disa herë, shtëpia u shit vetëm pas pesë vitesh me një vlerë shumë të ulët.
Policia e Westfield tha në tetor 2021 se nuk ka pasur asnjë komunikim kërcënues që kur pronarët e rinj morën shtëpinë dhe historia e “Vëzhguesit”, vazhdon të mbetet një mister.