Thethi me peizazhet magjike të Alpeve

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Parku Kombëtar i Thethit, rreth 70 km larg Shkodrës, i cilësuar si një magji turistike, është mbuluar nga dëbora në këto ditë dhjetori.

Ky park, i cili gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, tashmë është shndërruar në një panoramë mahnitëse ku bardhësia e dëborës ndërthuret me natyrën e egër alpine.

Vizitorët në këtë park mund të shijojnë peizazhin e mrekullueshëm si dhe të eksplorojnë shtigjet interesante që janë atraktive për turistët e aventurës.

Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.

Bukuritë e papërsëritshme të Thethit malor, në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Ai rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, ku aplikohen sportet malore dhe shëtitjet në natyrë.

Pylli është mjaft i pasur edhe me shpendë e kafshë të ndryshme. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lë grykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit.

Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmëndjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës./ATSH/

Share This Article