Thirrjes që bëri “Lëvizja Bashkë” dhe grupimi “Pensionistët Bashkë”, iu përgjigjën dhjetëra pensionistë që protestuan para ndërtesës së kryeministrisë.
“Nëse kërkesat tona nuk marrin zgjidhje për tre ditë ne ish minatorët dhe pensionistët do të nisim grevë urie”.
“200 mijë lekë pension marr unë. Kam punuar pastruese në spitali e Laçit për 27 vjet. Po kërkojmë të na e rrisin pak atë pension se sivjet jemi e mot s’jemi. Ça të bëj unë me 200 mijë lekë pension, jam me diabet, me tension.
Deputetët për vetë i rritën pagat e tyre, marrin 4 milionë, por për ne nuk u kujtuan.
Ç’më duhet mua kush burgoset, mua më duhen para për të jetuar. Mos të kishim fëmijët do ishim harruar sot. Fëmijët i kemi rrugëve të botës dhe na mbajnë edhe neve me ilaçe, si fillim.
Isha në një dyqan dhe punëtori pyeti pronarin a t’i hedh këto perimet e kalbura, jo u përgjigj ai, se i marrin pensionistët, se me këto ushqehen ata”.
“Ju erdhët në pushtet në vitet 90-91, por erdhët me kazmë për t’i vënë kazmën Shqipërisë. Mjekësia falas që ju premtuat nuk ekziston në Shqipëri, shikoni mos e keni premtuar në ndonjë vend tjetër të botës”.
Protesta u shoqëruan nga pak policë dhe një ambulancë që qëndroi në dispozicion dhe që pa kaluar pak ndihmoi një pacient të moshuar që nuk u ndje mirë gjatë protestës.