Momente frike ka përjetuar kombëtarja e Nigerisë gjatë kthimit pas ndeshjes kundër Lesotos, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Skuadra e udhëhequr nga ylli Victor Osimhen u përball me një situatë dramatike në fluturim, pasi njëri prej xhamave të kabinës së pilotit u thye, duke detyruar ekuipazhin të kryente një ulje emergjente.
Ngjarja ndodhi pak pas nisjes së avionit që transportonte lojtarët dhe stafin teknik drejt kryeqytetit nigerian. Sipas raportimeve të mediave italiane dhe afrikane, xhami i përparmë i avionit u plasarit gjatë fluturimit, çka krijoi tension mes udhëtarëve dhe pilotëve. Fatmirësisht, ekuipazhi reagoi me profesionalizëm dhe arriti të ulë avionin në mënyrë të sigurt.
Pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Lesotos, atmosfera në skuadër ishte tejet pozitive, por frika mori vendin e festës në pak sekonda. Pamjet tregojnë qartë dëmet në pjesën e përparme të avionit, ku xhami i plasaritur tregon se situata ka qenë mjaft serioze.
Pavarësisht alarmit, asnjë lojtar apo anëtar i stafit nuk ka pësuar lëndime dhe skuadra është rikthyer e sigurt në tokë. Pas kontrollit teknik, autoritetet nigeriane kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse thyerja e xhamit është shkaktuar nga ndonjë defekt teknik apo faktorë të jashtëm.