Tifozët e Manchester Cityt përmes rrjeteve sociale kanë festuar heqjen e ‘mallkimit të Ligës së Kampionëve’ të vendosur ndaj Pep Guardiolës dhe klubit nga Yaya Toure.
Në vitin 2018, Dmitry Seluk, agjenti i mesfushorit afrikan, theksoi se vendimi i trajnerit spanjoll për të mos llogaritur klientin e tij si titullar në sezonin e fundit të mesfushorit me Cityn, do të shkaktonte një mallkim afrikan për trajnerin, raporton Marca.
Guardiola kishte fituar titullin në dy raste gjatë kohës së tij në Barcelonë, por ka luftuar për të fituar garën që kur u largua nga gjiganti katalanas. Manchester City i Pep Guardiolës është shortuar në Grupin G me skuadrën e La Ligës, Sevillan, gjigantët e Bundesligës, Borussia Dortmund dhe kampionët danezë, Kopenhagen.
Dhe pas humbjes zemërthyese të klubit në gjysmëfinale ndaj Real Madridit – duke pranuar dy gola të vonshëm para se të humbiste në total pas kohës shtesë – komentet e famshme të Seluk u rishfaqën.
Por, duket se lojtari në fjalë e ka hequr mallkimin e supozuar gjatë shortit të Ligës së Kampionëve të këtij sezoni, kur legjenda e Cityt mori pjesë në proces. Duke vlerësuar shanset e Man City përpara Ligës së Kampionëve të këtij sezoni, Yaya Toure tha: “Çdo vit ata kanë një shans, dhe këtë vit ata do të kenë një shans. Ata mund të marrin atë që u nevojitet. Nuk do të jetë e lehtë për ta, por u uroj atyre fat”.
Pas komenteve të Toures për ish-skuadrën e tij, tifozët e klubit besojnë se ish-reprezentuesi i Bregut të Fildishtë mund të ketë larguar mallkimin mbi Guardiolën dhe klubin.
Priceless_Silva shkroi në Twitter: “Mallkimi iku”. The Cancelo Era shtoi: “Ai e hoqi mallkimin”. karimmcfc vazhdoi: “Mallkimi iku”. Një @_toheed_a i emocionuar iu bashkua grupit: “Mallkimi Yaya!”. Por, një tifoz më i kujdesshëm @gabeknowsball pyeti: “A po e thyen mallkimin duke na uruar fat?”.