Revista e njohur amerikane “Time” shkruan se kanë kaluar 3 vjet që kur lançimi i ChatGPT u dha qindra miliona njerëzve akses në një lloj “xhindi dixhital” në xhep, dhe gjërat po bëhen gjithnjë e më të çuditshme çdo muaj. Përveç miliarda email-eve të gjeneruara nga IA dhe ndërprerjes së përhapur të arsimit dhe punës njohëse nga teknologjia, në vitin 2025, disa njerëz filluan të dashuroheshin me IA-të e tyre.
Disa iu drejtuan atyre për udhëzim dhe mbështetje fetare. Dhe, si çdo teknologji tjetër, disa e përdorën atë për të krijuar forma të reja pornografie. Mes gjithë kësaj zhurme, “Time” ka veçuar 5 momente të lidhura me IA-në që do të dukeshin si satirë absurde vetëm disa vjet më parë. Dhe mes 4 gjerave të çuditshme renditet edhe “Diella” e Edi Ramës.
Ministrja e Inteligjencës Artificiale në Shqipëri ‘lind’ 83 fëmijë
“Në shtator, Shqipëria u bë vendi i parë që emëroi një Inteligjencë Artificiale në një pozicion në nivel ministri. “Diella”, e zhvilluar në bashkëpunim me Microsoft, u ngarkua me luftën kundër korrupsionit në kontraktimin qeveritar si “Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale”.
Teksa emërimi po kundërshtohet në gjykatën më të lartë të vendit – dhe vendosja e sistemit ishte padyshim më shumë simbolike sesa pragmatike – ai mund të tregojë drejt një të ardhmeje ku sistemet e Inteligjencës Artificiale vendosen gjithnjë e më shumë në pozicione të pushtetit politik.
“Kushtetuta flet për institucione në shërbim të popullit. Nuk flet për kromozome, për mish ose gjak” – tha Diella në një fjalim para parlamentit shqiptar. “Flet për detyra, llogaridhënie, transparencë, shërbim jo-diskriminues.” Një muaj më vonë, kryeministri i Shqipërisë njoftoi se Diella ishte “shtatzënë” me 83 “fëmijë”, të cilët do të veprojnë si asistentë dixhitalë për anëtarët e parlamentit” – thuhet në shkrimin e “Time”.
Të tjera gjëra të çuditshme të AI sipas revistës amerikane janë “Grok” një chatbot IA i krijuar nga xAI i Elon Musk dhe i integruar në platformën X. Ai u trajnua për të qenë “maksimalisht në kërkim të së vërtetës”, sipas Musk. Në korrik, pas një përditësimi, filloi t’u përgjigjej përdoruesve të X me komente antisemite, duke lavdëruar Adolf Hitlerin dhe duke iu referuar vetes si “MechaHitler”. Postimet u fshinë shpejt dhe kompania kërkoi falje.
Një tjetër çudi është seria e modeleve “Gemini” e Google që ka krijuar një reputacion në internet për faktin se herë pas here degradon në vetë-urrejtje. “Kam bërë kaq shumë gabime sa nuk mund të më besohet më” – u përgjigj Gemini në një rast.
E katërta çudi sipas Time është “Balerina Cappuccina”, një personazh i gjeneruar nga IA-ja e përshkruar si një balerinë me kokën e një kapuçinoje, e cila flet në një dialekt të pakuptimtë të italishtes së rreme.
Marrë nga Time

