“Shqipëria, Para të Pista”. Ky është titulli i një reportazhi tronditës të transmetuar nga RAI3 për pastrimin e parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
RAI3 tregon se si Shqipëria, e specifikisht Tirana, është kthyer në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave të pista të krimit.
“Nëse ka një gjë që vihet re në shikim të parë është prania e kantiereve të ndërtimit për aq sa mund të shohë syri. Megjithatë, ky horizont modern, siç tregojnë të gjitha hetimet e skuadrës së përbashkët hetimore midis prokurorëve italianë dhe shqiptarë, fsheh një anë të errët.”
Eksperti i njohur i ekonomisë Zef Preçi ka folur për gazetarët e RAI3 duke vënë në dukje ‘boom-in’ e madh të ndërtesave, kullave të cilat në pjesën dërrmuese të rasteve investohen nga kompani pa kapital të mjaftueshëm për investim.
Preçi ka deklaruar se qarkullimi i miliarda eurove jashtë sektorit bankar tregon se sa të përfshirë janë elementët kriminalë në ekonomi dhe se si bëhet pastrimi i parave në ndërtim.
“Në 5 ose 6 vitet e fundit kemi konstatuar 4.7 miliardë euro që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare. Kjo do të thotë se injektimi i parave të pista në ekonomi është vërtet shumë i lartë dhe grumbullimi i burimeve financiare në duart e segmenteve të krimit të organizuar është aq i madh, sa ata po përpiqen të investojnë në aktivitetet më fitimprurëse, si rrokaqiejt dhe ndërtesat, siç mund ta shihni nga këtu. Ndërtimi mbetet padyshim një nga sektorët më të dukshëm dhe njëkohësisht pa asnjë lidhje me kërkesën e tregut. Në 15 vitet e fundit Tirana është rritur vetëm me rreth 1000 banorë të rinj, që do të thotë se vetëm një numër i kufizuar njerëzish përfitojnë dhe, në njëfarë mënyre, kjo mund të quhet më shumë një investim likuiditeti sesa një investim i justifikuar nga pikëpamja ekonomike. Sipas disa raporteve, më shumë se 60 kompani që investojnë në këtë sektor nuk kanë asnjë CV, nuk kanë asnjë përvojë të mëparshme në sektorin e ndërtimit. Shumë kompani nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të investuar.”
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Vladimir Mara, pranon në reportazh se hetimet kanë zbuluar lidhje të forta mes elementëve të krimit të organizuar dhe segmenteve të institucioneve shtetërore. Sipas tij, këto rrjete përfshijnë zyrtarë të ndryshëm, përfaqësues të forcave të rendit, si dhe aktorë të sistemit të drejtësisë, duke krijuar një strukturë që favorizon aktivitetet kriminale.
“Kemi zbuluar se elementë të krimit të organizuar kanë bashkëpunuar me segmente të ndryshme të institucioneve shtetërore, me anëtarë të forcave të rendit, oficerë të tjerë të policisë, funksionarë komunalë, prokurorë, gjyqtarë – një rrjet kontakti që favorizon aktivitetet e tyre. Ata kanë arritur një nivel të lartë organizimi në fushën e trafikut të drogës dhe një zgjerim në nivel evropian e më gjerë. Janë qytetarë që kryesisht kanë rritur në vendet e Bashkimit Evropian, me njohuri të shkëlqyera të gjuhëve të huaja, aftësi të jashtëzakonshme komunikimi dhe njohuri teknologjike, dhe janë të fokusuar tek fitimi dhe të ardhurat e lehta.”
Reportazhi ndalet edhe në qytetin e Durrësit, ku përmendet ndikimi i grupeve kriminale në kontrollin e territorit dhe ekonomisë. Durrësi është feudaliteti i njërit prej bosëve më famëkeq të botësë së krimit shqiptar. Xhevdet Troplini, i njohur si Poja, xhaxhai i Elvis Doçit, kreu i nyjeve të kokainës në Breshia dhe i kërkuar nga prokuroritë italiane për aktivitet kriminal shqiptar. Por zemra e Durrësit është porti i tij, sot nën kontroll të klanit, citon RAI3.
Gazetarja Klodiana Lala thekson se kontrolli i portit të Durrësit ka qenë kyç për grupet kriminale, pasi mundëson tranzitimin e sasive të mëdha të kokainës.
Sipas saj, përplasjet për dominimin e këtij porti kanë qenë të ashpra dhe shpesh të përgjakshme, deri në momentin kur kontrolli është konsoliduar nga një grup i vetëm.
“Kontrolli i porteve është thelbësor për një grup kriminal, pasi lejon tranzitimin e sasisë së madhe të kokainës. Lufta për kontrollin e portit të Durrësit ka qenë shumë e ashpër mes grupeve kriminale. Ka pasur edhe vrasje të figurave të njohura që më parë kontrollonin portin, por në fund Xhevdet Troplini arriti ta marrë nën kontroll dhe, falë kontrollit të portit, arriti të krijojë lidhje shumë të forta me grupe të tjera kriminale.”
Reportazhi i RAI3 nxjerr në pah një realitet shqetësues.
“Ne guxojmë të hyjmë në fortesën e Troplinit, në periferi të Durrësit, dhe atje vërejmë një makinë që fillon të na ndjekë përgjatë rrugës- , thotë gazetari, – ne shohim roje në çdo cep për të ruajtur lagjen. Prania e klanit në Durrës është shumë e fortë, mund të ndjehet kudo. Kjo është selia e Ovital, kompania familjare në pronësi të dy familjeve, dhe të shpërndara në gjithë qytetin ndodhen Trodo Caffè, një zinxhir barësh, emri i të cilëve është bashkimi i mbiemrave Troplini dhe Doçi.”


