TIRANË– Një skemë mashtrimi është zbuluar, e cila ishte organizuar nga tre të mitur të cilët hapnin në rrjetet sociale llogari false dhe premtonin favore seksuale. Pasi qytetarët jepnin pagesa që varionin minimumi nga 100 euro, ata iu bënin bllok në instagram. Tre të miturit janë vënë në në hetim, ndërsa kishin përfituar 30 mijë euro.
Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Takimi”.
Përvetësuan shuma të ndryshme parash, nëpërmjet mashtrimit kompjuterik, duke hapur llogari me të dhëna false në rrjete sociale, identifikohen dhe procedohen penalisht 3 shtetas.
Falë punës intensive të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, zbardhen dhe dokumentohen rreth 150 raste të kësaj skeme mashtrimi kompjuterik, prej të cilave këta shtetas kanë përvetësuar shumën rreth 30 000 euro.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike, gjatë monitorimeve të rrjeteve sociale dhe burimeve te hapura, kanë konstatuar llogari të ndryshme me të dhëna të dyshuara të falsifikuara.
Gjatë monitorimeve të këtyre llogarive janë konstatuar publikime të ndryshme në të cilat premtoheshin favore seksuale kundrejt pagesave të ndryshme monetare, dhe menjëherë është organizuar puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës, të kësaj skeme mashtrimi kompjuterik.
Pas një pune të mirëorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar “Takimi”, në kuadër të cilit u identifikuan dhe proceduan penalisht tre shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç.
Tre autorët, krijonin llogari me të dhëna të falsifikuara të shtetaseve të ndryshme, dhe me anë të postimeve në këto profile, premtoheshin favore seksuale kundrejt pagesave të ndryshme. Administratorët e këtyre profileve, kërkonin nga të interesuarit që pagesa të kryhej në disa vendndodhje të përcaktuara prej tyre, i merrnin paratë pasi i orientonin të interesuarit për vendet ku duhej të lihej pagesa dhe më pas largoheshin duke i bllokuar personat në llogaritë e tyre, në rrjetet sociale ku komunikonin.
DVP Tiranë fton qytetarët që nqs do të konstatojnë profile të tilla nëpër rrjete sociale, të paraqiten në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në DVP Tiranë.