Një përplasje e fortë brenda familjes mbretërore ka dalë në pah, ku princi William thuhet se ka ushtruar presion mbi vajzat e princit Andrew, princeshën Beatrice dhe princeshën Eugenie, për shkak të banesës mbretërore, Royal Lodge.
Sipas gazetares Emily Maitlis, e cila intervistoi princin Andrew për BBC-në në vitin 2019, ka pasur një takim mes William dhe princeshave, gjatë të cilit ai u tha atyre:
“Duhet ta bindni babain tuaj të largohet nga Royal Lodge; përndryshe, do të rishikojmë titujt tuaj mbretërorë.”
Maitlis shton se vajzat u ndjenë të detyruara të transmetonin mesazhin te babai i tyre, duke thënë: “Kjo do të ndodhë.” Një lloj presioni i hollë që ngjason me një paralajmërim: familja mbretërore ka rregulla të rrepta dhe konflikti i brendshëm nuk është diçka që mund të injorohet.
Princi Andrew duket i vendosur të mos largohet pa marrë atë që kërkon. Ai ka shprehur interes për Frogmore Cottage, ish-shtëpia e princit Harry dhe Meghan Markle, ndërsa ish-gruaja e tij, Sarah Ferguson, dëshiron të zhvendoset në Adelaide Cottage pas largimit të William dhe Kate Middleton muajin e ardhshëm. Megjithëse janë ndarë që në 1996, Ferguson u zhvendos në Royal Lodge me Andrew në vitin 2008, duke komplikuar situatën.
Gazetarja Maitlis përmend se mbretit Charles III i ishte dashur të vizitonte Royal Lodge për të “lexuar rregullat” ndaj vëllait të tij, por plani u anulua për shkak të një reagimi të madh mediatik. Pallati, sipas Maitlis preferoi të mos organizonte takim formal nga fluksi i lajmeve.
Sun UK raporton se takimi midis William dhe princeshave nuk ka ndodhur dhe se William nuk ka fuqinë për t’u hequr titujt Beatrice dhe Eugenie. Por situata mbetet e tensionuar, sepse Andrew nuk ka paguar qiranë për Royal Lodge për 21 vitet që jeton aty, dhe mbretit Charles i ka ardhur koha që të kërkojë largimin e tij.
Një mik i çiftit ka thënë për Sun UK: “Andrew është i gatshëm të largohet, por ka kërkesa të mëdha. Ai e di që koha e tij në Royal Lodge po mbaron dhe është realist.”
Të gjitha këto ndodhin ndërkohë që princi Andrew është përfshirë në skandalin e lidhjeve me Jeffrey Epstein, duke rritur presionin mbi të dhe duke komplikuar marrëveshjet për banesat mbretërore.




