Shqipëria është rifutur në listën gri të Bashkimit Evropian, të vendeve jo bashkëpunuese në fushën e taksave.
Transparenca, taksimi i ndershëm dhe zbatimi i standardeve minimale për të shmangur abuzimet janë tre fushat që analizon Këshilli i Evropës dhe vendet që nuk plotësojnë këto kritere konsiderohen jo bashkëpunuese.
Në vitin 2019, Shqipëria kishte dalë nga lista e hartuar nga Këshilli për Çështje Ekonomike dhe Financiare dhe rikthehet tanimë pas 4 vitesh me detyrimin për të hequr brenda fundit të këtij viti lehtësitë fiskale për industrinë, që ofrohen kryesisht me statusin e investitorit strategjik.
Shqipëria është në listën gri së bashku me 18 shtete të tjera, ku nuk bën pjesë asnjë vend i rajonit, dhe do të qëndrojë nën monitorimin e BE-së. Nëse qeveria nuk mban premtimin deri në fund të vitit, rrezikon më pas të futet në listën e zezë, ku ndodhen kryesisht parajsat fiskale.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka marrë kritika të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian për nismën e amnistisë fiskale dhe ndodhet në listën gri të “Moneyval” për luftën e dobët ndaj pastrimit të parave.