Përplasje e rëndë ushtarake ka ndodhur midis forcave azere dhe armene një vit pas shpalljes së armëpushimit me ndërmjetësimin e Rusisë pasi azerët rimorën kontrollin në rajonin e Nagorni-Karabakhut.
Gjithçka ka ndodhur në rajonin e Siyunikut. Ministria e Mbrojtjes së Armenisë me anë të një postimi në Twitter ka njoftuar se Azerbajxhani ka nisur betejën me Armenin duke shkaktuar ushtarë të vrarë dhe të plagosur.
“Që nga ora 16:00. Situata në kufirin lindor mbetet “jashtëzakonisht e tensionuar”. Si rezultat i betejave të nisura dhe i sulmit të Forcave të Armatosura të Azerbajxhanit ndaj pozicioneve armene ka ushtarë të vrarë dhe të plagosur.”
Pas marrjes së kontrollit në Nagorni Karabakh, azerët po tentojnë të rivendosin kufirin siç ka qenë më parë me Armeninë duke sjellë konflikte të tilla. Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit në një deklaratë në faqen zyrtare bën me dije se kundërsulmi i njësive të forcave të armatosura armene u shtyp nga ushtarët e Azerbajxhanit.
Më tej në deklaratë thuhet se ushtarët armenë janë larguar nga pozicionet të frikësuar dhe në panik. Po ashtu në deklaratë theksohet se pajisjet ushtarake që i përkasin palës kundërshtare janë shkatërruar.
Ndër të tjera Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit thekson se përgjegjësia për tensionin në kufi është udhëheqja ushtarako-politike armene.