Një tjetër video që tregon momentin kur automjeti tip “Audi”, që po udhëtonte me shpejtësi tej normave, përfundoi nga rrethrrotullimi në zonën e TEG-ut në unazën lindore të qytetit.
Siç shihet nga pamjet, 20-vjeçari Klevis Ruçaj ndërsa po i afrohej rrethrrotullimit ka frenuar, por pavarësisht kësaj manovre, automjeti përfundoi duke rënë nga mbikalimi.
NGJARJA
Tre të rinj humbën jetën në aksidentin tragjik të pasdites së të enjtes në rrethrrotullimin e Saukut, në Unazën e Madhe të Tiranës, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur, jashtë rrezikut për jetën.
Automjeti i llojit “Audi” vjen me shpejtësi të madhe nga Farka dhe çan barrierat në rrethrrotullim, ndërsa një tjetër makinë, tip Benz, i ka shpëtuar mrekullisht aksidentit të tmerrshëm.
Makina tip “Benz” ishte duke bërë rrethin në normalisht, ndërsa “Audi” vjen me shpejtësi të lartë dhe kalon vetëm pak centimetra nga pjesa e pasme e “Benzit”, drejtuesi i të cilit ka qenë me fat në këtë rast.
Në aksidentin tragjik humbën jetën drejtuesi i “Audit”, Klevis Ruçaj, 20 vjeç, banues në Fier, Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe, banuese në Tiranë.
Nga matjet e kryera në terren nga ekspertët rezultoi se Audi udhëtonte me një shpejtësi mbi 200 km në orë dhe shenjat e para të frenimit i ka pasur vetëm 27 metra larg rrotullimit duke mos pasur asnjë mundësi për shmangien e aksidentit.